Nga: Bajram Mjeku
Organizimi i peticionit nga familjarët e Remzi Hoxhës dhe iniciativa për një marsh protestues në Shkup, Prishtinë e Tiranë në kërkim të zbardhjes të së vërtetës për zhdukjen e tij në kryeqytetin shqiptar në Tiranë, më riktheu në kujtesë.
Në nëntor të vitit 1996, një mesoburrë i qetë dhe i rënduar nga hallet u shfaq në selinë e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) në Prishtinë. Me një zë funebër pyeti për emrin tim. Pasi shtrënguam duart, me të njëjtën qetësi tha: “Jam Hetem Hoxha. Kam ardhë të interesohem për vëllain tim Remziun, i cili është zhdukur para një viti në Tiranë…”.
Menjëherë kuptova se zhdukja e Remzi Hoxhës ishte delikate. I ndjeri menjëherë pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte angazhuar në Sindikatën e Pavarur të Zejtarëve të Kosovës. Qysh atëherë bashkëpunëtorët e tij e kujtojnë si një burrë me dinjitet dhe veprimtar të pakompromis.
Që nga viti 1995, familja Hoxha asnjëherë s’ka pushuar për të vërtetën e zhdukjes së familjarit të saj. Indiferentë nuk është dashur të qëndrojnë as institucionet e Kosovës. Përkushtimi i Remziut për Kosovën nuk ka munguar për të gjallë të tij.
Kur u zhduk Remzi Hoxha u krijuan shumë mistere e teori konspiracioni. Konspiracioni i parë, i cili nisi të qarkullonte rreth zhdukjes së tij në qarqe të ndryshme politike e institucionale veçanërisht në ato të Shqipërisë atëbotë ndërlidhej me atentatin kundër ish-presidentit të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov, i cili ndodhi më 3 tetor të vitit 1995 në Shkup. Flitej kinse Remzi Hoxha mund të ishte njëri nga atentatorët e mundshëm kundër presidentit maqedon dhe eskortës së tij, pasi sipas të njëjtës teori, zhdukja e tij në kryeqytetin shqiptar ndodhi vetëm dy javë më vonë.
Konspiracioni i dytë ishte mundësia e kidnapimit të Remzi Hoxhës nga pjesëtarët e Shërbimit Informativ Kombëtar në Tiranë dhe atë ia kanë dorëzuar Shërbimit Sekret të Maqedonisë.
Konspiracioni i tretë diskutohej për kinse një takim konfidencial midis ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, atij të Maqedonisë, Kiro Gligorov, dhe ish-presidentit shqiptar, Sali Berisha, në ish-rezidencën verore të Josif Brozit në Shën Naum, shumë afër kufirit me Shqipërinë. U tha se Remzi Hoxha ka survejuar këtë takim dhe e ka informuar presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Konspiracioni i katërt dhe disa të tjerë me radhë ishin të turpshëm. Kinse Remzi Hoxha ka tradhtuar çështjen e Kosovës dhe ishte i implikuari i Shërbimit Sekret serb dhe kinse zhdukja e tij ishte imperativ i kohës.
Disa nga këto teori konspiracioni u disejnuan në godinën e Shërbimit Informativ Kombëtar në Tiranë. Teoritë konspirative dhe mjegullnajat e SHIK-ut u disejnuan me qëllim që aktorët e zhdukjes së Remzi Hoxhës të mos zbulohen kurrë.
Një çështje dihet dhe ka shumë rëndësi. Zhdukja e Remzi Hoxhës ka ndodhur në Tiranë. Shumëkush beson se Remzi Hoxha ishte ndër nismëtarët e parë të organizimit ushtarak në Kosovë. Shteti shqiptar duhet të marrë përgjegjësinë për zhdukjen e tij.
Më kujtohet shumë mirë kur vëllai i Remziut, Hetemi qysh në vitin 1996 kishte në dispozicion emrat e inspektorëve të dyshuar të Shërbimit Informativ Kombëtar në Tiranë. Disa vjet më vonë të njëjtit u intervistuan nga Prokuroria në Tiranë. Njëri nga ata ishte Ilir Kumbaro, ish-shef i Degës së Parë Operative në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë. I njëjti iku në Londër duke u fshehur me emrin e kosovarit Shaqa Shatri, të cilit ia kishte vjedhur kartën e identitetit. Ilir Kumbaro disa vjet me radhë i shpëtoi një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës. Ilir Kumbaro dhe katër ish-inspektorë të SHIK-ut dyshohen për kidnapimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, por askush më shumë se shteti shqiptar nuk heziton zbardhjen e zhdukjes së tij.
Më 21 tetor të këtij viti mbushen 20 vjet nga zhdukja e Remzi Hoxhës. Janë dy dekada ankth për familjen e tij. Edhe në peticionin e fundit ata theksojnë: “Armiku kryesor që po vret shpresën që Remzi Hoxha të ketë një varr është koha. Për ne familjarët dhe bashkëveprimtarët e tij, ky hezitim është një vrasje e dytë e tij. Për këto arsye, Qeveria Shqiptare, Gjykata e Lartë në Tiranë dhe organet e sigurisë duhet të bëjnë punën e tyre”.
Familjarët e Remzi Hoxhës kanë një të drejtë fundamentale: të dinë ku është varri i tij. Ata s’duan hakmarrje, duan drejtësi. Këtë duhet ta merr në përgjegjësi shteti shqiptar, në kryeqytetin e të cilit edhe është zhdukur Remziu.
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...