Google ADS

Ardi Veliu mesazh policëve: Keni marrë vlerësimin e qytetarëve, i keni kaluar pritshmëritë

09:58 | 3 Prill 2020
Arbresh.info

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i është drejtuar me një mesazh falënderues të gjithë organizatës së policisë për punën që po bëjnë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Veliu vlerëson sakrificat dhe përkushtimin e të gjithë efektivëve të policisë në këto ditë të vështira dhe të rrezikshme.

“Ndihem krenar që ju po tregoni në këto ditë vendimtare, ato vlera që përbëjnë esencën e Policisë së Shtetit, besueshmërinë, përgjegjshmërinë, shpirtin e grupit, kohezionin. Më vjen mirë që keni përmbushur e madje tejkaluar jo vetëm pritshmëritë e mia si Drejtor i Përgjithshëm, por ajo që është më e rëndësishme, keni marrë vlerësimin e qytetarëve. Kjo na bën krenar të gjithëve dhe ngre në një vend nderi, emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit”, thotë në mesazhin e tij drejtori i Policisë së Shtetit.

Veliu tha se organizata e policisë edhe si qytetarë po përballet me këtë rrezik të padukshëm, deri në fatal për jetën njerëzore.

“Pavarësisht sfidave dhe rrezikut të përhershëm që keni përballë, ju ia keni dalë të kryeni me përkushtim çdo detyrë të ngarkuar, si për rendin e sigurinë, ashtu edhe në përkrahjen e shtresave apo individëve në nevojë. Si Drejtor i Përgjithshëm, ju kërkoj ta përballoni këtë luftë me atë shpirt grupi që keni treguar, me ndjenjën më të lartë të përgjegjshmërisë dhe me vetëdijen se po i jepni një shërbim tejet të vyer kombit e atdheut”, thotë Veliu më tej në mesazhin drejtuar policëve.

Në fund të mesazhit, Veliu kishte edhe një urim.

“Dua të shpreh një urim për të gjithë ju, për gjithë qytetarët, që kjo pandemi të zhduket sa më parë, në mënyrë që të kemi mundësi të shohim e t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të themi faleminderit për gjithë sa keni bërë e vijoni të bëni!”./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme