Koronavirusi e gjeti Evropën të përgjumur

00:45 | 3 Prill 2020
Trina Galanxhi

Më pak se një muaj para se Evropa të fillonte të përpëlitej për maska, ventilatorë dhe teste për koronavirusin, qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian i thanë Brukselit se sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor ishin të gatshëm dhe nuk kishte nevojë të porositnin më shumë pajisje mjekësore.

Sipas dokumenteve që agjencia e lajmeve Reuters pohon t’i ketë parë, në një takim me dyer të mbyllura me diplomatët e vendeve anëtare, një zyrtar i Komisionit Evropian kishte thënë se ‘gjerat janë nën kontroll’ dhe shumica kanë marrë masa për të zbuluar dhe trajtuar COVID-19-tën.

Zyrtari po u referohej komenteve të të dërguarve të vendeve anëtare.

Evropa tani është gjithçka, përveç nën kontroll, me punonjës të dërmuar të kujdesit shëndetësor dhe spitale të mbushura.

Pikëpamjet tepër optimiste u hodhën vetëm dy javë para viktimave të para të koronavirusit në Itali, ku më shumë se 13 mijë njerëz kanë vdekur dhe afro 10 mijë punonjës shëndetësorë janë infektuar.

I pyetur nëse dokumentet që ka parë agjencia Reuters dëshmojnë se përgjigja evropiane kishte qenë shumë e ngadalshme, një zëdhënës tha se që nga janari, Komisioni Evropian ofroi mbështetje për vendet anëtare.

Në mesin e muajit shkurt, agjencia e Bashkimit Evropian për kontrollin e sëmundjeve tha se rreziqet që të tejkalohen mundësitë e sistemeve të kujdesit shëndetësor janë “të ulëta deri në të moderuara”.

Një muaj më vonë, agjencia tha se asnjë vend nuk do të kishte shtretër të mjaftueshëm të kujdesit intensiv deri në mesin e muajit prill.

Dhe sot – Italia ka vetëm një pjesë nga 90 milionë maskat që u duhen punonjësve të saj shëndetësor çdo muaj për të luftuar pandeminë. /VoA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme