Google ADS

AGK: Plotësisht i papranueshëm largimi i punonjësve medial nga Gazeta Zëri

13:41 | 2 Prill 2020
Arbresh.info

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për mënyrën e largimit nga puna të mbi 20 kolegëve, të cilët prej vitesh punonin në Gazetën Zëri.

Në mesin e punëtorëve të larguar nga puna, janë 3 gazetarë dhe 1 redaktor, ndërsa siç kanë lajmëruar kolegët tanë, dy prej gazetarëve, janë gra shtatzëna.

Ata u njoftuan për shkëputje të kontratës, përmes një e-maili nga drejtori i këtij mediumi, Shpend Dobranja, pa u respektuar afatet kohore të përcaktuara me Ligjin e Punës, në rast të shkëputjes së marrëdhënies së punës.

“Nuk është respektuar rregulli i njoftimit 15 ditë para largimit, përderisa lajmi na është kumtuar më 31 mars, e madje disa të tjerëve më 1 prill derisa ishin në vendin e tyre të punës. Edhe më i rëndë është fakti se dy prej gazetareve janë shtatzëna, çka përbën shkelje të ligjit.” – thuhet në shqetësimin e kolegëve tanë, drejtuar AGK-së.

Në e-mailin e tij drejtuar punëtorëve, Dobranja ka justifikuar vendimin e largimit të stafit, me pretekstin se gjatë muajve të fundit, Gazeta Zëri ka përjetuar vështirësi financiare për shkak të rënies të hyrave nga marketingu dhe shitja e gazetës.

AGK konsideron se mënyra e largimit të tyre nga puna është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve dhe njëkohësisht rëndon edhe më shumë ambientin në të cilin punojnë gazetarët në Kosovë.

AGK do të kërkojë përgjigje nga drejtori i Gazetës Zëri rreth procedurave ligjore të ndjekura në këtë rast dhe kërkojmë nga Inspektorati i Punës që në një afat sa më të shkurtër kohor, t’i shqyrtojë rastet në fjalë.

Ne do t’i përcjellim nga afër këto raste dhe do t’i njoftojmë të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë rreth këtij veprimi, që sipas AGK-së është arbitrar dhe tërësisht i papranueshëm.

AGK apelon sërish për drejtuesit e medieve që të mos bëjnë shkelje të tilla ligjore dhe t’i trajtojnë dinjitetshëm kolegët tanë, marrë parasysh se ata ndodhen pothuajse në vijën e parë të frontit përgjatë kësaj pandemie, duke rrezikuar madje edhe veten e tyre. Lidhur me këtë situatë, AGK sot, për herë të tretë, ka kërkuar sqarim nga Ministria e Financave dhe Transfereve se a do të ndihmohen kolegët tanë dhe cila do të jetë forma e përfshirjes së tyre në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë.

 

Të ngjashme