Presidenti i Prishtinës zotohet se do ta sjellë një ekip të madh në Kosovë për 100-vjetorin e klubit

19:24 | 1 Prill 2020
A. B.

Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, ka thënë se është duke punuar për ta sjellë në Kosovë një klub të madh, me mundësi Borussia Dortmundin, për kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të klubit më 2022.

Prishtina, klubi më i vjetër në Kosovë, u themelua më 1922 me emrin Kosovë, para se të ndërronte atë përfundimisht në Prishtina, raporton Gazeta Express.

Klubi bardhekaltër do t’i mbushë 100 vjet më 2022 dhe për ta kremtuar një shekullin e klubit, Ejupi ka thënë se do ta organizojë një ndeshje të madhe, duke e përmendur gjigantin gjerman, Borussia Dortmund si kundërshtarin e mundshëm të Prishtinës në një ndeshje miqësore.

“”Ne kemi kërkuar dhe punuar edhe më herët për të zhvilluar një ndeshje të madhe. Tani janë pjekur kushtet dhe presim të kalojë kjo situatë për të organizuar një ndeshje të madhe. Ne shumë shpejt e kemi 100 vjetorin e klubit Prishtina dhe presim të organizojmë një ndeshje të madhe pse jo me Dortmundin apo edhe një ekip tjetër të madh”, ka thënë Ejupi për Radio Prishtina.

Prishtina, si të gjitha klubet në vend dhe në shumicën e vendeve të botës, është duke pushuar për shkak të pezullimit të futbollit si pasojë e pandemisë koronavirus.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme