“Tender 411 milion eurosh”, Basha: Është hapur për mobilimin e zyrave të spitalit të Traumës

15:42 | 31 Mars 2020
Arbresh.info

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në konferencën online me gazetarët i ka bërë thirrje qeverisë që e vetmja rrugë për të shuar kurbën e vrusit COVID-19 është testimi masiv i popullsisë.

Basha ka denoncuar gjithashtu edhe një nga tenderat e fundit të qeverisë për mobilimin e zyrave të Spitalit të Traumës, ku siç ai tha shuma e tenderit shkon në 411 milion euro, ndërkohë që në këtë kohë mjekët nuk kanë nevojë për mobilimin e zyrave, por për teste.

“Mos vononi më rritjen eksponenciale të numrit të testimeve, duke e bërë këtë me transparencë. Qytetarët dhe personeli shëndetësor duhet ti ushtrohen sa më shumë testimeve. Mos testimi do ta çojë këtë sakrificë kot.

Ajo që duhet bërë me urgjencë është testimi i sa më shumë personave. Nuk kemi informacione se sa materiale testuese ka vendi ynë.

Dimë që në Maqedoni ka 13 pika testuese, Kosova mori 7 mijë kite testuese. Uroj që të mos fshihet diçka pas kësaj. Kostoja për të blerë kite është shumë më pak sesa shumat marramendese që kemi dëgjuar të tenderohen këto ditë për kontrata betoni.

Ndërkohë që numri i testimeve është i ulët dhe një nga gjërat që dëgjojmë në mënyrë të vazhdueshme që s’ka lekë, është hapur një tender 411 milion lekë për zyrat e Spitalit të Traumës. Nuk është prioritet mobelimi, arredimi apo fasadat e spitalit të Traumës. Prioritet për shëndetin e mjekëve në spitalin e Traumës, për shëndetin kudo të mjekëve infermierëve, personelit shëndetësor, është marrja me urgjencë e paisjeve të mjaftueshme për testimin e tyre. Që do të thotë: kitet testuese, pajisjet testuese. Tani teknologjia po ecën shumë shpejt, koha e testimit po shkurtohet, është e pafalshme që mjekët nërradhë të parë që janë më të ekspozuarit bashkë me personelin shëndetësor, të presin me ditë të tëra për t’u testuar, me ditë të tëra për të marrë përgjigjen e testimit, ndërkohë që vazhdojnë të jenë në kontakt me kolegët e tyre, në kontakt me pacientë dhe, në këtë mënyrë, ata që në fakt duhet të jenë vija mbrojtëse ndaj sëmundjes, shpesh herë për shkak të këtyre mangësive, kthehen në shkak që të karantinohen, të vetëkarantinohen ata dhe kolegët e tyre.

Ndaj kërkesa kryesore që kam sot sa i përket administrimit në kuptimin shëndetësor të krizës është të ndryshojë kryekëput qasja e këtyre tre javëve, të sigurohen mjaftueshëm pajisje testuese dhe kite testimi dhe të shtrihet testimi në mënyrë masive si e vetmja rrugë për të parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe për të ndërprerë zinxhirin infektues. Kjo është e domosdoshme që sakrifica 3 javore e gjithë shqiptarëve mos të shkojë kot. Kjo është e domosdoshme që të mbajmë të ulët numrin e të infektuarve dhe të mbajmë nën kontroll numrin e viktimave”, thekson Basha./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme