Sindikata e Sektorit Privat mirëpret por kritikon Pakon Emergjente: Nuk u përfshin 150 mijë punëtorë pa kontrata

11:40 | 31 Mars 2020
Arbresh.info

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) ka reaguar pas miratimit të Pakos Emergjente Fiskale nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi në një konferencë për medie ka thënë se e mirëpresin këtë vendim, shkruan arbresh.info.

Por, Azemi ka thënë se ndarja e pagave për punëtorët e sektorit privat është gabim i madh sepse ka ndodhur pa konsultim me sindikatën.

Ai ka thënë se aty nuk janë përfshirë edhe rreth 150 mijë punëtorë që punojnë pa kontrata.

“Sindikata e ka mirëpritur ketë stimulim të punëtorëve por Pako Emergjente që e ka përcaktuar Qeveria e Kosovës e ka bërë një gabim shumë të madh sepse nuk është konsultuar fare me kategoritë që janë përfshirë, ka nda rreth 40 milionë euro për punëtorët e sektorit privat por që nuk dihet për cilat kategori. Ne mendojnë se me këtë mund të paguhen vetëm 200 mijë punëtorë ndërsa pa kontrata pune punojnë edhe 150 mijë të tjerë për të cilët ne e kemi njoftuar shtetin me kohë”, ka thënë ai.

Azemi ka shtuar se kanë kërkuar takim me Ministrin e Financave.

“Ne kemi kërkuar takim urgjent me ministrin e Financave lidhur me Pakon Emergjente Fiskale por që ende nuk kemi ndonjë sinjal”, ka shtuar ai.

I pari i SPSPK-së, ka kërkuar që edhe punëtorët teknik e sigurimi fizik të futen në kategorinë e të rrezikuarve drejtpërdrejtë nga Covid 19.

“Pa Sindikatën nuk mund të bëhet ndarje adekuate e parave të punëtorëve, pse të stimulohen mjekët e jo punëtorët teknikë që vazhdimisht përballen me rrezikun nga koronavirusi. Ata çdo ditë janë bashkë me mjekët dhe është jo serioze që të ndahen nga mjekët. Duhet të mendohet edhe për punëtorët e sigurimeve fizike, punëtorët e radiotaksive e që janë mbi 1 mijë”, ka shtuar qi.

Ndryshe të hënën Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale.

Në këtë pako nuk janë përfshirë as gazetarët pavarësisht thirrjeve që u bënë një ditë më parë që ata të futen në Pakon Emergjente. /arbresh.info/

 

“Gazetarët në front të parë gjatë epidemisë, të futen në pakon financiare të Qeverisë”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme