Përveçse ul rrezikun nga infektimi me koronavirus, distancimi fizik mund t’i bëjë simptomat e Covid-19 më të lehta, nëse dikush sëmuret prej tij. Kjo bëhet duke zvogëluar ngarkesën virale të një pacienti, ose thënë ndryshe, numrin e grimcave të virusit me të cilin pacienti infektohet. Pasja e një ngarkese të lartë virale i jep një infeksioni një “nisje të vrullshme” dhe rrit rrezikun që sistemi imunitar i pacientit të mbingarkohet në betejën e tij kundër Covid-19. Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Që dikush i infektuar në mënyrë direkte nga spërklat e kollës së një tjetër të infektuari, ka simptoma më të rënda në krahasim me dikë që është infektuar thjesht duke prekur dorezën e infektuar të një dere.
Dhe kjo ndodh ngaqë rasti i infektimit nga doreza e derës i jep më shumë kohë sistemit tonë imunitar të përgatisë përgjigjen kundër infeksionit, përpara se ai të tronditet nga shpërfaqja e simptomave.
“Në përgjithësi me viruset e frymëmarrjes, rezultati i infeksionit – pavarësisht nëse sëmureni rëndë ose merrni vetëm një ftohje të lehtë – ndonjëherë mund të përcaktohet nga sa virus futet në trupin tuaj dhe nga mënyra e infektimit”, thotë profesoresha Wendy Barclay, një eksperte e sëmundjeve infektive në “Imperial College London”, që ka kryer një studim të posaçëm për këtë çështje.
“Ka të bëjë me madhësinë e “ushtrive” në secilën anë të betejës, një “ushtri” shumë e madhe e viruseve është e vështirë për “ushtrinë” e sistemit tonë imunitar ta luftojë”, thotë Barclay. Sipas saj, viruset i sëmurin njerëzit duke u shumëfishuar me shpejtësi sapo hyjnë brenda trupit tonë dhe duke u rritur në një numër kaq të madh sa trupi kërkon disa javë për t’i shkatërruar të gjithë. Ky proces është i pashmangshëm pasi dikush të ketë marrë infeksionin, por është e mundur që njerëzit së pari të sëmuren vetëm me një dozë të vogël të një virusi.
Në fakt, për koronavirusin e ri, duket se ka gjasë që një shumicë e madhe e pacientëve të sëmuren nën këtë rrethanë, çka u merr atyre një kohë jashtëzakonisht të gjatë përpara se të vërejnë se janë të sëmurë. Për shkak të kësaj, njerëzit duket se po përhapin Covid-19 më gjerësisht sesa po të kishin një sëmundje më serioze.
Dr.Michael Skinner, gjithashtu nga Imperial College, thotë se nëse dikush e nis infektimin e tij me një sasi masive të virusit, ai mund të mbingarkojë sistemin e vet imunitar. Virusi do të kishte një sulm të befasishëm në rrethana të tilla, shprehet ai, sepse do të ishte në gjendje të ndërtohej më shpejt përpara se trupi të kishte kohë për t’u kundërpërgjigjur.
“Duhet të jemi më të shqetësuar në lidhje me situatat kur dikush merr një dozë masive të virusit (nuk kemi të dhëna se sa të mëdha mund të jenë, por lëngjet trupore nga ata të infektuar me viruse të tjera mund të përmbajnë një milion dhe deri në një njëqind milion viruse për mililitër), veçanërisht përmes inhalacionit (thithjes me hundë). Gjithsesi, kjo do të ishte një ngjarje e rrallë dhe nuk ka gjasa që njerëzit jashtë stafit spitalor të ekspozohen ndaj sasive të tilla masive të virusit”, thotë Skinner.
Shkencëtarët nuk mendojnë se ngarkesa virale e njerëzve do të rritet nëse ata janë të ekspozuar ndaj më shumë personave të infektuar pasi ata të jenë infektuar që në krye të herës. Gjithashtu ata nuk besojnë se infektimi që pësojmë mund të jetë një shumatore e disa ekspozimeve të “vogla” ndaj personave apo sipërfaqeve të infektuara.
Këto rezultate vijnë në mbështetje edhe të një punimi tjetër shkencor të botuar në revistën mjekësore “The Lancet” këtë muaj, i cili sugjeronte se një ngarkesë e lartë virale ishte e lidhur me simptoma më të rënda. Studimi analizoi gjendjen e 76 pacientëve me koronavirus në Nanchang të Kinës. “Ngarkesa virale te rastet e rënda ishte rreth 60 herë më e lartë se ajo e rasteve të lehta, çka sugjeron që ngarkesa më të larta virale mund të shoqërohen me rezultate të rënda klinike”, thuhet në studimin e udhëhequr nga dr.Wei Zhang.
Të paktën 80 përqind e pacientëve me koronavirus besohet se kanë vetëm një sëmundje të butë të ngjashme me një ftohje, ndërsa disa mund të shfaqin probleme më të rënda të frymëmarrjes.
Të sëmurët më të rëndë përfundojnë në spital me pneumoni dhe në njësitë e kujdesit intensiv kanë një normë mbijetese rreth 50 përqind.
Dr.Wei dhe kolegët e tij shtuan se ngarkesa e lartë virale gjithashtu duket se rrit rrezikun e një sëmundjeje serioze në pacientët me SARS, një virus i ngjashëm që shkaktoi një shpërthim në vitin 2002.
Ata u shprehën se “ky konstatim sugjeron që ngarkesa virale e SARS-CoV-2 mund të jetë një shënues i dobishëm për vlerësimin e ashpërsisë së sëmundjes dhe prognozën për të”.
“Për të mos u infektuar me një ngarkesë më të madhe virale, gjëja më e mirë që njerëzit mund të bëjnë është të qëndrojnë larg nga të tjerët që janë ose mund të jenë të sëmurë”, shprehet dr.Wendy Barclay.
Ngarkesa virale do të ishte më e lartë nëse dikush kollitet drejtpërdrejt në fytyrën tuaj sesa po të ishte dy metra larg dhe virusi të shpërndahej në ajër.
Veshja e dorezave, larja e duarve dhe shmangia e prekjes së fytyrës gjithashtu mund të mbrojë njerëzit nga marrja e viruseve në vendet publike. Dhe, nëse dikush është duke jetuar me dikë të infektuar me koronavirus, duhet të përpiqet të shmangë kontaktin e ngushtë me të; të qëndrojë dy metra larg, nëse është e mundur. Kjo përfshin që të ndalojmë së përqafuari dhe puthuri me një të infektuar, të flemë në shtretër të veçantë dhe të sigurohemi që të pastrojmë rregullisht sipërfaqe të prekura shpesh të tilla si dorezat e dyerve./ts/
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...
Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak mungesa e k...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...