Dibranët e Amerikës: Aty ku linda dhe këtu ku jetoj, me mall për Dibrën time

21:48 | 28 Mars 2020
Arbresh.info

Në kohën kur epiqendra e virusit Covid19 po zhvendoset nga Europa drejt Nju Jorkut të SHBA-së, biznesmenët e shumtë dibranë që operojnë në kryemetropolin e botës, nuk u ka munguar guximi për t’u ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve të tyre në vendlindje, e cila poashtu vuan nga ky virus duke u raportuar deri tani dy vdekje dhe mbi 40 të infektuar. Dhe kjo ndodh pikërisht në krizën më të madhe që po kalon Nju Jorku, mbase prej konsolidimit të saj si qytet në 1898, informon foldrejt.com.

Në aplikaconin online të Shoqatës Atdhetare Dibrane (SHAD) në gofundme.com me emrin “Covid-19 Mutual Aid-Dibër” , deri tani diaspora në ShBA ka grumbulluar 42.000$, ku prej këtyre parave veçse janë shpenzuar 10 mijë dollarë në Dibër: kryesisht për ndihma në ushqime dhe pajisje higjienike. Këto mjete financiare i janë dhënë në menaxhim përfaqësuesit të SHAD në Dibër, Maksud Kërlukut, si dhe në bashkëpunim me shoqatën humanitare “DRITA” poashtu e themeluar nga një atdhetar në ShBA, Ramiz Duka dhe humanistë tjerë janë duke bërë shpërndarjen e ndihmave.

Por dërgesa të shumta të mjeteve financiara nga amerikanët e Dibrës ka edhe direkt në Myftininë Dibër, e udhëhequr nga hoxha Reshat Kaçallniku. Biznesmenë të njohur si Burim Fida, Dritan Fida, Gazmend Sadiku, Muharem Lata, Latif Cami dhe Ylber Pilku kanë dërguar ndihma me pako ushqimore për 170 familje dibrane me nga 50 dollarë secila. Gjithashtu, në dispozicion të Myftinisë, janë edhe 5000 dollarë ndihma të dërguara nga humanistët në ShBA.

I Dërguari as thotë: ”Sadakaja më e vlefshme është të ndash nga pasuria jote derisa je i shëndoshë dhe atëherë kur ke mundësi të kursesh” është hadithi që Myftinia Dibër ka zgjedhur për ti përgëzuar vëllezërit e tyre në ShBA.

Në këto ditë të vështira për dibranët dhe gjithë botën, ky është një shembull sesi mund të tejkalohet çdo krizë.

 

Të ngjashme