Sveçla iu adresohet policëve: Ju jeni shërbëtorët e vërtetë të popullit

18:54 | 28 Mars 2020
Arbresh.info

Ushtruesi i Detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, në një adresim për Policisë e Kosovës, ka vlerësuar lart angazhimin e kësaj force në këtë kohë që po kalon vendi.

“Në këtë kohë të vështirë krize, është momenti të jemi shembullorë. Të gjithë ju, individualisht dhe në kolektiv, jeni mbrojtësit dhe shërbyesit civilë të Kosovës, dhe unë e di që ju i shërbeni vendit tonë me dinjitet, nder dhe krenari”.

“Jam i nderuar dhe i privilegjuar që jam mes jush, e do të jem bashkë me ju në front, që ta kalojmë këtë krizë. Jam i nderuar dhe i privilegjuar që ju kam bashkëpunëtorë. Ne jemi politikanë, dhe politikanët do të vijnë dhe do të shkojnë – ndërsa ju jeni Shërbëtorët e vërtetë të Popullit” , ka thënë mes tjerash Svecla në adresimin e tij.

Fjalimi i plotë i tij:

Të dashur punonjës t ë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike,

Në këtë kohë të vështirë krize, është momenti të jemi shembullorë. Të gjithë ju, individualisht dhe në kolektiv, jeni mbrojtësit dhe shërbyesit civilë të Kosovës, dhe unë e di që ju i shërbeni vendit tonë me dinjitet, nder dhe krenari.

Të gjithë ju, pa dallim grade apo titulli, pavarësisht situatës aktuale, jeni një pjesë e rëndësishme në luftën e përbashkët për të shpëtuar jetë.

Dëshiroj të ndaj me ju admirimin dhe respektin tim për dedikimin dhe përkushtimin profesional që po tregoni.

Disa prej jush janë duke punuar nga shtëpia e shumë janë në vijën e parë të kësaj urgjence globale shëndetësore, duke rrezikuar përditë shëndetin. Këto janë periudha të vështira kudo që punoni, nga shtëpitë tuaja apo në vendin e punës e të shërbimit.

Këto janë kohë plot paqartësi dhe frikë. Dhe në kohë të tilla familjet e krejt Kosovës kërkojnë një ndjenjë të sigurisë, rendit dhe besimit. Atë ndjenjë na e garantoni ju.

Fatkeqësisht, vendi ynë po kalon një sërë sfidash, të gjitha menjëherë, gjë që e bën të rëndësishme që ne, individualisht dhe kolektivisht, të bëjmë çmos që të udhëheqim me ndjenjë të lartë të detyrës, moral qytetar e parime profesionale – që të shërbejmë dhe mbrojmë.

Në ditët dhe javët e ardhshme situata do të vazhdojë të zhvillohet sipas ritmit që po shohim në rajon dhe botë. Me siguri do të ketë një rritje të rasteve të konfirmuara, të shtrirë në spitale dhe fatkeqësisht, mund të ketë dhe raste të vdekjeve. Me këto sfida mund të përballen edhe disa prej nesh.

Do të ketë gjithashtu rritje të ankthit dhe pasigurisë në mesin e qytetarëve, ndaj të cilëve do të duhet të zbatojmë udhëzimet për siguri dhe stabilitet në kohë shumë të paqëndrueshme. Por, ne jemi përballur edhe me fatkeqë si më të mëdha në historinë tonë, dhe i kemi mundur. Me forcë shpirtërore e besim te njëri-tjetri.

Edhe kësaj radhe, do t’ia dalim mbanë. Pandemia nuk do të zgjasë përgjithmonë, por ne do t’u jemi falënderues përgjithnjë policëve, punonjësve të strukturave të rendit dhe administratës publike.

Jam i nderuar dhe i privilegjuar që jam mes jush, e do të jem bashkë me ju në front, që ta kalojmë këtë krizë. Jam i nderuar dhe i privilegjuar që ju kam bashkëpunëtorë. Ne jemi politikanë, dhe politikanët do të vijnë dhe do të shkojnë – ndërsa ju jeni Shërbëtorët e vërtetë të Popullit.

Misioni juaj është të Shërbeni dhe Mbroni me vlera dhe virtyte të larta njerëzore dhe profesionale. Sapo të kalojë kriza, kudo që unë do të jem, e në çdo pozitë, do të bëj gjithçka që është e mundur që trajtimi juaj prej shtetit të jetë më dinjitoz.

Ne bashkë do të vazhdojmë punën pa u ndalur, pa hezitime e të vendosur. Sigurisht ju jeni kontribuesit për kohët më të mira që patjetër se do të vijnë.

Sinqerisht,

Xhelal Sveçla,

U.d. Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike

Prishtinë, 28 mars 2020

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme