Google ADS

Strategjia e habitshme e Suedisë kundër koronavirusit

21:19 | 26 Mars 2020
Arditë Shkodra

Shumica e vendeve të Evropës janë izoluar tërësisht, në përrpjekje për të frenuar përhapjen e COVID-19, por krejt ndryshe po ndodh me vendin skandinav Suedinë.

Atje vazhdojnë të qëndrojnë të hapura shkollat fillore, restorantet dhe baret, ndërsa njerëzit inkurajohen të dalin jashtë për të marrë ajër.

Madje deri aty sa nuk lejohet që njerëzit të dalin me maska, se kjo ngjall panik. Kjo qasje ka ngjallur debate të ashpra, nëse Suedia po bën ose jo gjënë e duhur.

“Ne nuk mund të lejojmë që dëshpërimi njerëzor në Wuhan dhe Bergamo të përsëritet në Suedi. Kjo shkel parimin më themelor të shoqërisë: që çdo person ka një vlerë të qenësishme”, ka shkruar kryeredaktori i gazetës më të madhe të Suedisë, Dagens Nyheter, duke bërë thirrje për masa më të ashpra ose testime më të përhapura të koronavirusit.

Më shumë se 350 akademikë të shëndetit publik dhe praktikues në Suedi, duke filluar nga profesorë deri tek studiuesit, kanë nënshkruar një peticion duke i bërë thirrje qeverisë të ndryshojë strategjinë e saj të koronavirusit.

Anders Tegnell, epidemiolog kryesor i vendit, e ka përshkruar strategjinë e Suedisë si përpjekje për të siguruar “një përhapje të ngadaltë të infeksionit, dhe që shërbimet shëndetësore të kenë një ngarkesë të arsyeshme pune”, duke argumentuar se është e rëndësishme që një pjesë e popullatës të fitojë imunitet.

Kryeministri Stefan Lofven u ka bërë thirrje njerëzve të “marrin përgjegjësinë” dhe të ndjekin rekomandimet e qeverisë: të punojnë nga shtëpia nëse munden, të qëndrojnë në shtëpi nëse ndjehen të sëmurë, të praktikojnë distanca sociale dhe qëndrojnë në shtëpi nëse i përkasin një grupi rreziku ose janë mbi 70 vjeç.

Për shumë njerëz, jeta po vazhdon afër normales. Sidoqoftë, në përputhje me pjesën tjetër me pjesën tjetër të BE-së, Suedia ka mbyllur kufijtë e saj për udhëtime jo të nevojshme.

Të hënën, ish-epidemiologu shtetëror i Suedisë dhe këshilltari aktual në Organizatën Botërore të Shëndetit Johan Giesecke, inkurajoi suedezët të dilnin dhe të shijonin diellin e pranverës.

“Merrni një mik dhe ecni një metër larg. Mos përqafoni fqinjin tuaj. Merrni një termus dhe uluni në një stol parku. Është e keqe për shëndetin tuaj edhe të rrini ulur në shtëpi”, tha Giesecke në televizionin suedez SVT.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme