PDK: Koalicioni LVV-LDK braktisi qytetarët

17:59 | 26 Mars 2020
L G

Edhe pse deputetët e saj ishin dje prezent në seancën e mocionit për rrëzimin e qeverisë, dhe votuan pro këtij mocioni, ishte Memli Krasniqi, i vetmi prej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që mori fjalën në debat.

Megjithatë, një ditë pas rrëzimit të Qeverisë, në krue me Albin Kurtin, PDK ka reaguar.

Përmes një njoftimi për media, kjo parti thotë se koalicioni qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së mori fund ashtu siç kishte nisur – me akuza për njëra tjetrën, mashtrime ndaj qytetarëve, papërgjegjësi ndaj vendit dhe paaftësi për të qeverisur në mënyrë normale.

PDK-ja nuk e nxiti krizën, as nuk u bë pjesë e saj, por e dënoi që nga fillimi këtë qeveri populiste dhe denoncoi dëmet që ajo i bëri vendit në më pak se dy muaj ekzistencë.

Më poshtë reagimi i plotë i PDK-së:

Prishtinë, 26 mars 2020 – Koalicioni qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së mori fund ashtu siç kishte nisur – me akuza për njëra tjetrën, mashtrime ndaj qytetarëve, papërgjegjësi ndaj vendit dhe paaftësi për të qeverisur në mënyrë normale.

PDK-ja nuk e nxiti krizën, as nuk u bë pjesë e saj, por e dënoi që nga fillimi këtë qeveri populiste dhe denoncoi dëmet që ajo i bëri vendit në më pak se dy muaj ekzistencë.

Së pari, koalicioni LVV-LDK ishte një mashtrim ndaj elektoratit të tyre, duke u premtuar qeveri brenda 72 orësh mbi baza parimore pas 6 tetorit, por që u katandisën në katër muaj vonesë dhe në një pazar joparimor për poste dhe pushtet.

Së dyti, përgjatë 50 ditëve të qeverisjes, kjo qeveri e shkarkuar orkestroi një frymë anti-amerikane, atëherë kur të gjithë prisnin të forconte marrëdhëniet e lënduara me SHBA-të. Ajo qëllimshëm neglizhoi sugjerimet e miqve e partnerëve tanë amerikanë dhe përmes diskursit kundërshtues e përçarës ndaj SHBA-ve, solli edhe sanksionimin e pashembullt të Republikës së Kosovës, deri në pezullimin e donacioneve dhe investimeve milionëshe për Kosovën.

Së treti, me vetëdije të plotë, dy liderët e partive LVV e LDK, nxitën një krizë politike në kulmin e krizës më të rëndë shëndetësore e shoqërore që nga paslufta, si pasojë e pandemisë globale të virusit COVID-19. Kur, me të drejtë, të gjithë këto ditë prisnim kujdesin e shtuar të qeverisë e të institucioneve, qytetarët si përgjigje morën një krizë të re që e rritë pasigurinë dhe frikën edhe më shumë. Dhe krejt kjo, si rrjedhojë e qërimit të hesapeve të ulëta politike e partiake ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës.

PDK konsideron se LVV e LDK ikën nga përgjegjësia institucionale e morale në kohën më të vështirë. Kryeministri Kurti u vet-dorëzua para sfidave dhe pritjeve të qytetarëve, duke provokuar me veprimet e tij mocionin e mosbesimit që dje mori mbështetjen e më shumë se dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë situatë të re politike, PDK kërkon të mos krijohet vakum institucional dhe sa më shpejt, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ecet në drejtim të krijimit të institucioneve të reja, që do të kenë prioritet adresimin e nevojave të qytetarëve.

Por, pavarësisht se qeveria ka rënë dje, ajo është në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re. Dhe për asnjë moment, askush nuk duhet t’ju ikë përgjegjësive dhe obligimeve institucionale. Ky vend dhe shoqëria jonë, çdo herë ka ditur të gjejë forcën dhe vullnetin për të ecur përpara, sidomos në kohë të sfidave të mëdha, sikur kjo që e kemi përballë, në betejën me armikun e përbashkët, virusin COVID-19.

Sot, kur shumica e qytetarëve janë të ngujuar nëpër shtëpi, kur kemi komuna e fshatra të tëra në karantinë, kur shkollat e universitetet janë mbyllur e bizneset kanë ndalur veprimtarinë e tyre, qytetarët kanë nevojë imediate për ndihmën konkrete të shtetit të tyre. Ashtu siç po bëjnë shumica e shteteve anë e mbanë botës.

Menaxhimi i krizës nuk mund të bëhet suksesshëm, pa një plan të qartë për masa lehtësuese për jetën e të gjithë qytetarëve. E veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme dhe për punëtorët e sektorit privat, që është punëdhënësi më i madh në vend.

Sektori privat është dëmtuar më së shumti nga kjo krizë, por qeveria ende nuk ka dalë me një plan konkret si të adresojë problemet ekzistenciale të mijëra ndërmarrjeve që po humbasin çdo ditë kapitalin e tyre dhe të punëtorëve të cilët, me të drejtë, presin që të marrin pagat në fund të muajit, në këtë gjendje pasigurie financiare për ta dhe familjet e tyre.

Në vazhdën e propozimeve konkrete që kemi bërë si PDK për qeverinë, është e domosdoshme që nga buxheti i shtetit menjëherë të lansohet Fondi i Posaçëm për Emergjencën, që do të mundësojë ndërmarrjen e masave të shpejta dhe të domosdoshme për sanimin e dëmeve ekonomike, përmes miratimit të një Pakoje Financiare për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat.

Ndër këto masa, qeveria në detyrë duhet që sa më parë të mundësoj pushimin e pagesave të kredive për të gjitha bizneset dhe qytetarët për një periudhë tre mujore; të mbulojë pagat e punëtorëve të sektorit privat që nuk kanë punuar gjatë kësaj kohe; të subvencionojë pagesën e qirave të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e krizës; të mundësojë kreditimin emergjent me interesa të ulëta dhe me grejs periudhë 2 vjeçare për bizneset; të paguaj shtesa meritore për të gjithë mjekët, infermierët, policët zjarrfikësit, ushtarët, zyrtarët e tjerë dhe vullnetarët që janë në linjën e parë të betejës me virusin COVID-19.

Vonesat e ndodhura në marrjen e masave parandaluese për shpërndarjen e virusit në vend, nuk duhet të përcillen edhe me vonesa në marrjen e vendimeve për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve tanë dhe të bizneseve kosovare, që janë shtyllë e ekonomisë sonë. Është përgjegjësi prioritare e qeverisë në detyrë që pasigurinë e qytetarëve për shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre, të mos ua rëndojë duke u shkaktuar edhe pasiguri ekonomike dhe financiare. PDK do të jetë mbështetëse për marrjen e masave të sipërcekura dhe për çfarëdo masa që janë në dobi të qytetarëve të vendit./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme