Nga: Liridon Kadriu
Abetarja e re e përpiluar nga autorët që jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë që mbanë për autorë: Mimoza Gjokulaj, Islam Krasniqi,Shezai Rrokaj, Saranda Pozhegu e botuar për herë të katërt në korrik të vitit 2015 vazhdon të manipuloj me fëmijët tanë duke i mësuar ata për figura totalisht krishtere e fetare. Se shkolla është e ndarë nga kisha e xhamia nuk e kanë kuptuar as Lindita Nikolla e as Arsim Bajrami e qe besa as shumë analist e pseudo-analist që çdo ditë merren me analiza duke filluar nga arsimi para fillorë e deri tek ai universitar.
Edhe pse kishte shkrime dhe kundërshtime në lidhje me paraqitjen e Nënës Tereze e cila mban në gjoksin e saj simbole të krishtera, decidivisht simbolin e kryqit në vitin 2014, asnjë reagim nga ministritë gjegjëse për të ndërhyrë që ky gabim dhe ky manipulim me fëmijët tanë të mos vazhdoj më tutje.
Kjo nuk ka ndodhur edhe ne botimin e ri të katërt, në korrik të vitit 2015. Ky gabim tendencioz dhe i qëllimshëm përsërit prape me qellim të futjes se propagandës tipike krishtere tek nxënësit dhe fëmijët tanë. Shkolla shqipe duhet të jetë e lire nga propaganda fetare deri sa të pranohet të futet lënda fetare ku nxënësit do të mësonin për fenë e tyre, varësisht së cilës fe i takojnë.
Kjo abetare përveç qe ka gabime të mëdha gjuhësore, ortografike, teknike tashti i shtohet edhe propaganda fetare, gjë që e ul jashtë mase vlerën që duhet ta ketë një abetare. Shkolla shqiptare dhe arsimi në përgjithësi janë laike dhe duhet të mbeten laike. Duhet të konsiderojmë jo vetëm faktin që duhet të mbeten laike […] por, në radhë të parë, faktin që po flasim për arsimin parauniversitar, i cili ka të bëjë me një grup moshe që nuk është në gjendje të marrë vetë vendime. […] Edhe në raport me simbolet, që u diskutuan këtu, duhet të kemi parasysh laicitetin e shkollës”. *[Procesverbal parlamentar, 25.04.2012] Kështu shprehej Valentina Leskaj dy vite më parë në Komisionin e Edukimit, kur diskutohej rreth trajtimit të simboleve fetare nëpër shkollat publike. Në botin e katërt te botuar në muajin korrik te vitit 2015 përshkrimi për “Nënën Terezën” behet në këtë mënyrë: “Babi i tregon Zamirit për shenjtoren shqiptare”. Kategoria është ekskluzivisht kishtare, ashtu siç fenomeni merr kuptim vetëm për kontekstin fetar të krishterë, që, përkthyer me shqetësimet e sipërcituara, do të thotë se fëmija shqiptar mëson që në klasë të parë modelin e vlerësimit të Kishës së bashku me karakteristikat e shenjtorit/shenjtores (e dashur, e papërtuar, e shpejtë, e urtë, e dhembshur, e mirë, e kujdesshme, e qetë, shpirtmirë, zemërmirë, zemërbardhë, zemërbutë: faqja e ushtrimeve). Ilustrimi bart edhe problemet e keqinformimit dhe të iluzionit.
Së pari, Nënë Tereza nuk është shenjtore por e lumturuar dhe “gjithë jetën” ia kushtoi Zotit e institucionit Kishë, në funksion të të cilëve vinte përkushtimi ndaj të varfërve, si mjet për objektivin hyjnor. Së dyti, autorët shkruajnë: “sa e sa fëmijë ka shëruar ajo me zërin e saj të ëmbël”. Kështu fëmija krijon idenë se mund të ketë shërim (edhe) vetëm nëpërmjet zërit, mjafton të jetë i ëmbël, edhe kur ka uri, kur është i sëmurë kronik apo në agoni, po kështu edhe të rriturit përreth tij. Natyrisht që kjo fjali është e denjë për një habitat përralle, ndërsa këtu propozohet si fenomen racional. Jemi përballë një rasti tipik të përfaqësimit mendor të deformuar të realitetit: në realitet e dimë që fëmijët në Indi nuk shërohen me anë të zërit. Duke qenë se fëmija mund ta vërtetojë lehtësisht me eksperiencën e tij se nuk mjafton zëri, atëherë do të bindet se mrekullia ndodh nga të çenurit shenjtor/e ose nga pasimi i udhës së tij/saj.
Vetëm për një mënyrë të menduari/vepruari fetar mund të marrë kuptim dorëzimi ndaj zërave. Kësisoj funksioni i ilustrimit të germës Z përmes Nënë Terezës ka të gjitha karakteristikat e shfrytëzimit të hapësirave shkollore laike për publicitet të pastër fetar, të cilit nuk i njihen sponsorët, por mund t’i parashikohen pasojat. Më shumë se diskriminim fetar (për këtë do të mjaftonte vetëm analiza antroponimike e librit), kjo është mospërfillje e ligjeve të shtetit, shkelje e kontratës së laicitetit. Pushtetet duhet të ndërhyjnë përpara se mosbesimi zhvlerësues ndaj tyre të arrijë në përmasa komunitare që dritën në fund të tunelit e gjejnë vetëm tek integrimi i fesë në politikë. Ftoj dy ministritë e arsimit, atë të Shqipërisë dhe të Kosovës që sa më parë të largojnë nga qarkullimi këtë abetare përlotë me gabime gjuhësore, ortografike e teknike , duke ia shtuar edhe propagandës fetare që ka brenda saj dhe sa më shpejte të vënë në qarkullim një abetare të përmirësuar ku dominojnë vlerat e mirëfillta shqiptare.
Larg propaganda fetare nga shkollat dhe fëmijët tanë. Nëse ministritë nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, i lus shumë sinqerisht organizatat e mbrojtëse se fëmijëve, specialistet e arsimit, analistët e arsimit që të ngrenë zërin e arsyes duke informuar drejtë e mirë prindërit që kjo abetare është e dëmshme dhe në të buron propagandë e mirëfilltë fetare e cila nuk iu nevojitet fëmijëve tanë, e me se paku atyre që fillojnë për herë të parë me shkronjat shqipe. (Një pjesë nga ky shkrim është marrë nga Revista “Zani i Naltë”)
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...