KASH në lidhje me situatën në Kosovë: Koha për bashkëpunim

10:47 | 25 Mars 2020
Arbresh.info

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me vemëndje zhvillimet e ditëve të fundit në Kosovë, të cilat bëhen edhe më shqetësuese në kontekstin e pandemisë globale të Covid-19.

Pandemia globale e Covid-19 është një prej momenteve më sfiduese të historisë njerëzore. Qeveritë e vendeve më të zhvilluara të botës, me kapacitete mjekësorë dhe burime ekonomike të mëdha, janë angazhuar me tërë kapacitetet e tyre për ta mbrojtur shëndetin e popullit.

Klasa politike dhe strukturat shtetërore të vendeve me burime dhe mundësi të kufizuara, siç është Kosova, nuk duhet të harxhojnë energjitë e tyre sidomos në këto momente për beteja politike, aq më tepër kur mund të rezultojnë në bllokada institucionale apo mbetjen e vendit pa një administratë efektive.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bashkohet qëndrimit të përbashkët, të dt. 24.03.2020, të Ambasadave të SHBA, RFGJ, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë në Prishtinë, dhe shqetësimit të tyre mbi nevojën për të respektuar integritetin dhe funksionimin e qeverisë së Kosovës, si dhe fton të gjithë klasën politike të bashkërendojnë energjitë e tyre për përballimin e kësaj krize me përparësi interesin e shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të të gjitha institucioneve dhe krijimit të një klime të përshtashme për qytetarët, mund të përballohet rreziku i përhapjes së virusit dhe të gjitha pasojave që do të sjellë kjo situatë në të ardhmen.

KASH fton drejtuesit e institucioneve të Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin, me të gjithë aktorët politik në vend, si dhe me përfaqësuesët e shteteve mike./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme