Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) aktualisht ka rreth 500 shtretër në dispozicion, me mundësi dyfishimi sipas nevojës, për menaxhimin klinik të rasteve me COVID-19,konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tyre, pas shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore në Kosovë, një numër klinikash në QKUK, janë shndërruar në klinikë ku trajtohen vetëm rastet me koronavirus.
Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë që vetëm Klinika Infektive i ka 125 shtretër, një repart izolimi me 40 shtretër, të lidhur me oksigjenim qendror dhe një dhomë të mjekimit intensiv me 6 shtretër.
“Por, pas shfaqjes së rasteve me COVID-19, e tërë Klinika Infektive është shndërruar në klinikë ku trajtohen vetëm rastet me COVID-19 dhe është mobilizuar edhe një numër më i madh i respiratorëve, por që deri tash, nuk ka pasur nevojë të përdoren. Gjithashtu, në funksion të menaxhimit klinik të rasteve me COVID-19 në dispozicion janë vënë edhe të gjithë shtretërit e Klinikës së Pulmologjisë, Klinikës së Dermatovenerologjisë, Klinikës së Imunologjisë dhe objekti i ri i Mjekësisë Sportive, që ka kapacitet prej 100 shtretërish dhe të lidhur me oksigjen qendror”, tha Hoti.
Respiratorët e rinj, në prill dhe maj
Sipas Hotit, aktualisht në Kosovë gjenden 142 respiratorë, 95 prej të cilëve gjenden në sektorin publik dhe 47 në sektorin privat. QKUK-ja, aktualisht posedon 68 respiratorë, ndërkaq 27 të tjerë gjenden në spitalet e përgjithshme.
Ministri i Shëndetësisë i Qeverisë së Kosovës, Arben Vitia, më 21 mars, ka deklaruar se drejtuesit e spitaleve private i kanë vënë në dispozicion kapacitetet e tyre, që të përdoren në funksion të menaxhimit të situatës me koronavirusin e ri, nëse do të ketë nevojë. Gjithashtu, ai ka theksuar se ka porositur respirator të rinj.
“Kemi porositur 50 respiratorë të rinj dhe po presim edhe disa, njëra pjesë në muajin prill, njëra në maj”, ka thënë Vitia.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë konfirmuar se për 50 respiratorë të rinj janë ndarë edhe mjetet buxhetore. Sipas tyre, nëse procedurat shkojnë sipas parashikimeve, gjysma e këtij numri të respiratorëve pritet të vijnë në Kosovë në fund të prillit, ndërkaq gjysma tjetër në fund të muajit maj.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tash, Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) ka testuar 732 mostra të dyshimtë në COVID-19. Në dispozicion ka edhe rreth 900 kite të tjera. Kjo ministri ka njoftuar se në proces të sigurimit, brenda pak ditësh, janë edhe 4,000 deri 7,000 kite të reja. Sipas kësaj minsitrie, kontrata është nënshkruar dhe është çështje orësh ose dite që pjesa më e madhe e tyre të jetë në dispozicion të IKSHPK-së.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë që ekziston edhe një angazhim i madh i kontribuuesve vendorë nga sektori farmaceutik, për të ndihmuar me mjete mbrojtëse dhe pajisje mjekësore.
Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 10 milionë euro, për zbatimin e Planit të veprimit të Planit të gatishmërisë dhe të reagimit për COVID-19, prej të cilave 6,2 milionë euro janë vënë në dispozicion për shpenzime të menjëhershme.
Trajnimi i personelit mjekësor për koronavirusin
Përhapja e virusit COVID-19, ka gjetur shumë shtete në befasi, sepse është një virus i ri i familjes Korona dhe me shumë të panjohura për shkencën në botë.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë që marrë parasysh sfidat e shteteve të tjera në menaxhimin e koronavirusit të ri, Kosova me ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), si dhe në zbatim të rekomandimeve të kësaj organizate dhe të Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) në Kosovë, me hartimin e Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër COVID-19, filluan edhe trajnimet e personalit shëndetësor. Trajnimi sipas tyre ka nisur fillimisht me personelin në Klinikën Infektive të QKUK-së, e pastaj edhe në shërbimet e tjera si shërbimet emergjente, shërbimet e anestezionit dhe mjekimit intensiv, si dhe të personalit në nivele të kujdesit parësor shëndetësor apo Qendrave të Mjekësisë Familjare në komunat e vendit.
Zyrtarët e Ministrisë ë Shëndetësisë nuk kanë bërë të ditur numrin e mjekëve dhe stafit të infermierisë, të cilët janë të trajnuar për sëmundje, siç është koronavirusi i ri.
Por, zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti, ka theksuar që “i gjithë personali i Klinikës Infektive është trajnuar për vendosjen e masave mbrojtëse, menaxhimin e rasteve të dyshimta dhe menaxhimin klinik të rasteve, marrjen dhe dërgimin e mostrave për testim me RT-PCR në IKSHPK”.
Ai ka shtuar që gjithashtu është punuar edhe për trajnimet e personalit në shërbime të tjera dhe në komuna, nga epidemiologë, mikrobiologë dhe infektolog vendorë.
Ndihmat nga jashtë
Plani i veprimit ndaj rasteve me koronavirus, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, është vlerësuar pozitivisht nga OBSH-ja. Kjo e fundit, siç thonë ata, ka qenë e përfshirë që nga ditët e para për ta ndihmuar Kosovën.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 17 mars, pati deklaruar që është njoftuar nga OBSH-ja që “janë ndarë 7 milionë euro ndihmë, të cilat do ndihmojnë për furnizimet në institucionet shëndetësore të çdo niveli. Gjithashtu, Vitia ka theksuar që “Banka Botërore ka ofruar mbështetje në aktivitetin për masat kundër COVID-19 me vlerë prej 7.9 milionë euro”.
Bashkimi Evropian, përmes shefes së së zyrës në Prishtinë, Nataliya Apostolova, më 20 mars pati paralajmëruar ndihmën për Kosovën dhe sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, “BE-ja ka ndarë një ndihmë prej 5 milionë euro për COVID-19”.
Zëdhënësi Hoti thotë që gjithashtu, gjatë kësaj jave, UNICEF-i do të sjellë në Kosovë një kontingjent të madh me mjete mbrojtëse dhe pajisje të tjera mjekësore për COVID-19.
Sipas tij, Holanda ka sjellë një kontingjent ndihmash përmes Ambasadës së Kosovës në Hagë, por me ndihma kanë kontribuar edhe Qeveria e Italisë, Turqia, Project Hope (USA) dhe donatorë të tjerë. /REL/
Sulmohet me raketa agjencia paqeruajtëse e OKB-së në Liban
Stuhi, reshje shiu dhe dëbore godasin Shtetet e Bashkuara
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...
Rina Balaj dhe Mato Lale publikojnë këngën “Të dy”
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë...
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...