RMV, Korona i vendosi drynin Çarshisë, zejtarët paralajmërojnë mbylljen e bizneseve të tyre

16:24 | 24 Mars 2020
Arbresh.info

Kriza shëndetësore që ka kapluar Maqedoninë e Veriut me paraqitjen e virusit korona, ka goditur rëndë edhe ekonominë, bizneset e tregtinë në vend. Çarshia e Vjetër e Shkupit, e cila deri para kësaj periudhe, ishte vendtakimi i gjithë grup moshave të qytetarëve dhe një ndër vendet kryesore të turistëve të huaj, sot ka marrë pamjen e një vendi të braktisur, shkruan Portalb.mk.

Shumica e bizneseve dhe dyqaneve janë mbyllur, ato të cilët janë nuk kanë pothuajse aspak shtije, ndërsa në gjithë Çarshinë, shumë të paktë janë edhe qytetarët që mund t’i takosh në këto rrugë të boshatisura. Të punësuarit e atyre pak bizneseve që kanë mbetur akoma të hapura, deklaruan për Portalb-in, se kriza me virusin korona, ka goditur skajshëm bizneset në Çarshi.

“Biznesi është goditur 120%. Nuk lëviz asnjë njeri. Ne punojmë me porosi, me kompani, që porosisin dhe dërgojnë. Në krahasim me periudhën e mëhershme është shumë e dobët. Kemi 2-3 porosi në ditë, nuk ka asgjë. Tash për tash nuk ka mundësi që të mbijetojmë krizën, më vonë ndoshta. Ne jemi këtu që të punojmë, një ekzistencë për në shtëpi, nuk ka asgjë tjetër”, tha një i punësuar në një nga restorantet e Çarshisë.

Si pasojë e kësaj, puna ka rënë ndjeshëm edhe për hotelet, ku momentalisht janë anuluar të gjitha rezervimet.

“Momentalisht është e goditur, sepse të gjitha rezervimet janë anuluar për shkak të krizës dhe nuk punojmë. Momentalisht nuk kemi asnjë vizitor. Kemi rezervime nga mesi i muajit maj, të cilat akoma nuk janë anuluar, deri atëherë të gjitha tashmë janë anuluar të gjitha rezervimet që kemi pasur”, deklaroi punëtori i një hoteli.

Por, megjithatë, tek ata mbizotëron shpresa se gjendja do të kaloj së shpejti dhe bizneset do të rimëkëmben përsëri.

“Biznesi është dëmtuar shumë. Nuk ka asgjë. Gjithë ditëm vetëm rrimë. Nuk kemi asnjë porosi gjatë ditës. E mbajmë veç që të jetë i hapur, që të mos mbyllet dyqani. Ne duhet të jemi çdoherë optimist se do ta mbijetojmë këtë krizë, jo që do ta lëmë këtë krizë. Ne do ta mbijetojmë dhe do të vijnë ditë më të mira, nga e keqja vjen e mira”, u shpreh pronari i një argjendarie.

Për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet sektori i zejtarisë, alarmon edhe drejtoresha ekzekutive e Odës së Zejtarëve, Aneta Atanasovska.

Ajo tha se i gjithë sektori është i bllokuar pasi nuk funksionon asgjë, ndërsa sipas saj, pjesa më e madhe e bizneseve nuk punojnë momentalisht, ndërsa një pjesë e zejtarëve kanë paralajmëruar mbylljen e tërësishme të bizneseve të tyre.

“Pjesa më e madhe e bizneseve tjera të zejtarisë, po ashtu janë mbyllur për shkak se nuk ka fitim të shërbimeve të prodhimtarisë. Zejtaria është në fillim të një krize të madhe. Tashmë ndihet një panik te zejtarët se si do t’i paguajnë harxhimet e tyre siç janë, rryma, ngrohja, që janë një barrë e madhe për bizneset e vogla, ndërsa edhe kontributet që rrjedhin normalisht si obligim ndaj shtetit dhe dhënia e pagave për punëtorët. Veç më ndihet një panik tek zejtarët, sepse e dimë se në aspektin financiar, ky biznes qëndron shumë dobët, që të mund të mbijetojë në kushte të këtilla ku aspak nuk ka fitim nga shërbimet dhe prodhimet e tyre. Do të ketë pasoja shumë, kemi paralajmërime se do të mbyllen biznese të zejtarisë, sepse veç më ndjejnë se nuk mund ta përballojnë barrën, në aspekt të pagesave, ndërsa është në pikëpyetje të madhe edhe ekzistenca e familjeve të tyre, si familjet e të punësuarve të tyre që kanë marrë paga nga bizneset e zejtarisë”, deklaroi Atanasovska.

Ajo tha se, tashmë kanë dhënë propozim për pako të masave për të mbijetuar krizën dhe shpreson që të njëjtat të merren parasysh nga ana e Qeverisë.

“Oda e Zejtarëve ka propozuar pako të masave kundër krizës, në të cilat kemi propozuar që të subvencionohet kontributet për të punësuarit, sepse një pjesë e bizneseve të zejtarisë janë të vetëpunësuar, nuk kanë të punësuar, por kemi edhe një pjesë të madhe të bizneseve që kanë të punësuar. Kështu që, kemi propozuar edhe subvencionimin e pagave në atë pjesë, që të mund t’i jepet mbështetje financiare që të mund të mbijetojnë në këto ditë të krizës”, tha Atanasovska.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në kumtesën e orës 12:30 informoi se në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë shënuar edhe 12 raste të reja të virusit korona, me çka numri i përgjithshëm ka arritur në 148. Deri më tani janë shënuar dy viktima nga ky virus, një grua 57-vjeçare nga Kumanova dhe një burrë 63-veçar nga Dibra.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme