Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin: “Drejtësia në shkallë të dytë: Raport i monitorimit sistematik të Gjykatës së Apelit”, në të cilën thuhet se nuk është shënuar asnjë rezultat konkret në dënimin e korrupsionit të profilit të lartë në shkallë të dytë.
Fokus i veçantë i trajtimit në këtë raport, janë rastet e korrupsionit të trajtuara në Gjykatën e Apelit.
Në këtë drejtim, gjetjet e IKD-së tregojnë se sikurse vitet e kaluara, edhe vitet 2018 dhe 2019, Kosova i ka mbyllur pa as edhe një zyrtar të lartë prapa grilave për shkak të korrupsionit, përkundër asaj që në shumicën e matjeve të bëra, Kosova vazhdon të renditet si një ndër vendet më të korruptuara në Evropë.
“Në raportet ndërkombëtare, korrupsioni në Kosovë cilësohet si endemik, Kosova si shtet i kapur, derisa sistemi i drejtësisë cilësohet si lehtë i ndikueshëm nga politika”, thuhet në njoftim.
Gjetjet e IKD-së, tregojnë se edhe dy zyrtarë të profilit të lartë që ishin dënuar nga gjykatat e shkallës së parë për korrupsion, Gjykata e Apelit kishte vendosur t’i lirojë nga akuzat dhe të njëjtit t’i shpall të pafajshëm, kurse në katër raste tjera, Apeli i kishte anuluar aktgjykimet dënuese të gjykatave të shkallës së parë ndaj zyrtarëve të lartë publik të akuzuar për korrupsion dhe lëndët i kishte kthyer në rigjykim.
Të kundërtën e kësaj apo ndryshimin e aktgjykimeve liruese të shkallës së parë në dënuese, apo kthimin në rigjykim të rasteve kur zyrtarë të lartë publik ishin liruar nga shkalla e parë, Apeli se kishte bërë në asnjë rast gjatë dy viteve të kaluara.
Shikuar nga pikëpamja kohore, lëndët e korrupsionit në Gjykata e Apelit nuk presin shumë kohë për tu zgjidhur, përjashtimisht ndonjë rast, sikurse kishte qenë rasti “MTPT”, i cili kishte pritur më shumë se një vit për tu shqyrtuar ankesat nga ana e Apelit.
“Gjykata e Apelit, gjatë vitit 2018 kishte pasur në punë gjithsej 125 lëndë të korrupsionit. Prej tyre, deri në fund të vitit, kjo gjykatë kishte arritur të përfundojë 107 nga këto lëndë, apo 85.6 % të lëndëve që kishte pasur në punë. Ndërsa, gjatë vitit 2019, Apeli ka pasur në punë gjithsej 107 lëndë të korrupsionit, nga të cilat kishte zgjidhur 88, apo 82.24 %, të lëndëve të kësaj natyre që kishte pasur në punë”, thuhet në raport.
Shikuar në total sipas statistikave të lëndëve të kryera, vitet 2018 dhe 2019 kishin qenë të suksesshme për Gjykatën e Apelit, pasi vërehet se ka rritje të vazhdueshme të numrit të lëndëve që kryhen nga kjo gjykatë.
“Mirëpo, se sa ka ndikuar numri i madh i lëndëve të kryera në cilësinë e vendimeve që ka nxjerrë Apeli, flet më së miri deklarata që Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala e kishte dhënë në janar të 2019, gjatë prezantimit të raportit vjetor për gjykatën ku udhëheq, ku ndër të tjera e kishte pranuar që deri tani, më shumë i kanë kushtuar rëndësi statistikave se sa cilësisë. Mungesën e cilësisë të aktgjykimeve të Apelit, sidomos në rastet e korrupsionit, mund të shohim edhe në vendimet që Gjykata Supreme ka marr gjatë kësaj periudhe, e cila në disa raste, duke përfshirë këtu raste të profilit të lartë, kishte konstatuar shkelje në favor së të pandehurve që kishte bërë Gjykata e Apelit dhe Gjykatat Themelore”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Gjykata Supreme kishte vendosur kështu në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi, ish-zëvendëskryeministrit Dalibor Jevtiq, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj si dhe në rastin “Sekseri” ku i akuzuari kishte qenë Emin Beqiri.
Në pamundësi ligjore për të anuluar këto aktgjykime të Apelit, Supremja vetëm kishte konstatuar shkeljet e bëra nga shkallët më të ulëta të gjyqësorit, ndërsa, të akuzuarit kishin përfituar duke u liruar përfundimisht nga akuzat të cilat rëndonin mbi ta.
Po ashtu, përkundër kritikave që vet kreu i Apelit, Hasan Shala, kishte pasur lidhur me politikën ndëshkimore për rastet e korrupsionit, sipas monitorimit të IKD-së, del se Apeli, edhe pse në kuadër të autorizimeve të veta mund edhe të ashpërsojë dënimet e shkallës së parë kur këto lëndë vinë me ankesa në Apel, një gjë të tillë e kishte bërë në vetëm në një rast të korrupsionit gjatë vitit 2018, kurse gjatë vitit 2019 e kishte bërë vetëm në dy raste. Në këtë mënyrë, akterët e GjA-së politikën ndëshkimore e kishin kritikuar, por nuk e kishin adresuar.
“Luftimi i korrupsionit ishte dhe vazhdon të mbetet edhe kërkesë e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave dhe për këtë arsye, nga ana e Prokurorit të Shtetit, dhjetëra lëndë janë shënjestruar për këtë proces. Lidhur me këto lëndë, kreu i Apelit, Hasan Shala, ka deklaruar se të gjitha lëndët e shënjestruara ishin përfunduar nga Apeli. Megjithatë, një deklarim i tillë i Shalës, sipas gjetjeve të IKD-së kishte dalur se nuk është i saktë. Kjo, pasi që në një përgjigje zyrtare që IKD ka marr nga Gjykata e Apelit më 24 janar 2019, apo 14 ditë pas konferencës së lartpërmendur del se kjo gjykatë ka pas në punë pesë lëndë të shënjestruara për viza edhe pse kryetari Shala kishte thënë se të gjitha lëndët e tilla ishin përfunduar nga Apeli”, thuhet më tej.
Gjykata e Apelit, në kuadër të autorizimeve që ka, mund edhe t’i prishë aktgjykimet e shkallës së parë dhe lëndët t’i kthej në rigjykim. Vendime të tilla, pra kthimin e lëndëve në rigjykim, Apeli kishte vendosur në rreth 20 % të lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2018.
Vitin 2019, përqindja e lëndëve që ishin kthyer në rigjykim kishte pësuar një rritje, ashtu që rreth 29 % të lëndëve të korrupsioni që ishin kryer gjatë vitit 2019 ishin kthyer në rigjykim nga Apeli. Disa nga këto raste, ishin kthyer në rigjykim nga dy apo edhe tre herë, çka në të paktën një rast të profilit të lartë, kishte bërë që edhe vepra penale të parashkruhet.
Funksionalizimi i plotë i Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë gjatë vitit 2018, themeluar sipas Marrëveshjes së Brukselit, ishte quajtur histori suksesi nga kryetari i Apelit, Hasan Shala, kur ky i fundit kishte prezantuar punën e Apelit gjatë vitit 2018. Megjithatë, ky divizion që përbëhej nga shtatë gjyqtar, sipas lëndëve të kryera gjatë dy viteve të kaluara del se as për së afërmi nuk i ngjan një historie suksesi.
“Po ashtu, një problem deri diku banal sipas gjetjeve të IKD-së del edhe drejtshkrimi i disa nga aktgjykimet e Gjykatës së Apelit, në të cilat vërehen gabime drejtshkrimore të theksuara, si mungesa e përdorimit të shkronjave “ë” dhe “ç”, pastaj mos përdorimi i shenjave të pikësimit e deri te gabimi i datave të ndryshme apo edhe emrave të palëve në procedurë. Këtë shqetësim IKD e ngritë për shkak se shpeshherë këto gabime i bëjnë këto aktgjykime të pakuptueshme. Për më tepër, IKD gjen se në disa prej aktgjykimeve të GjA-së mungon edhe arsyetimi i mjaftueshëm mbi vendimin e marrë”, thuhet më tej në njoftimin e IKD-së.
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...