Shefi i OKB-së: Luftojeni koronavirusin, jo njëri-tjetrin

09:04 | 24 Mars 2020
Arbresh Info

Udhëheqësit botërorë janë duke bërë thirrje për armëpushim në të gjitha vatrat e konflikteve të armatosura në botë në kohën kur pandemia e koronavirusit po përhapet në shkallaë shqetësuese.

Kur janë shënuar mbi 380 mijë të infektuar me virusin Covid-19 në mbarë botën, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha: “Është koha që konfliktet e armatosura të vendosen në izolim dhe së bashku të përqendrohemi në luftën e vërtetë për jetët tona.”

“Virusi nuk mërzitet për kombësinë apo etninë tonë, grupin apo besimin. Ai i sulmon të gjithë në mënyrë të pamëshirshme. Ndërkohë konfliktet e armatosura po shkaktojnë dhunë përreth botës”, shtoi ai.

Ndryshe, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus, tha të hënën para gazetarëve se pandemia është duke u shpejtuar. “Pandemia është duke u shpejtuar. U nevojitën 67 ditë nga rasti i parë për të shkuar në 100 mijë raste, 11 ditë për 100 mijë të tjera dhe vetëm 4 ditë për 100 mijë të tjera”, tha ai.

Përhapja e virusit ngjitës po krahasohet me kriza të mëdha në historinë botëore, përfshirë Luftën e Dytë Botërore, krizën financiare të vitit 2008 dhe gripin spanjoll të vitit 1918, shkruan “Daily Mail”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme