Google ADS

Franca fillon testimin klinik të ilaçeve kundër koronavirusit

15:49 | 23 Mars 2020
Arbresh Info

Ka filluar në Francë testimi klinik i trajtimeve eksperimentale për shërimin nga virusi Covid-19. Pritet që në këtë proces të përfshihen rreth 800 pacientë.

Njoftimi për fillimin e testimit klinik erdhi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Hulumtimeve Mjekësore, që do të jetë edhe organ koordinues i procesit.

Testimi është duke u udhëhequr nga Florence Ader, specialiste e sëmundjeve ngjitëse në një spital të qytetit Lyon. Ajo tha se në testim do të përfshihen disa lloje të substancave, përfshirë remdesivirin, lopinavirin dhe ritonavirin dhe hidroksiklorokinën.

Kjo e fundit është përbërës kryesor i ilaçit që është përdorur për ta luftuar malarien dhe gjendet në treg edhe tani.

Mjekja sqaroi se këto substanca janë pjesë e listës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për trajtime eksperimentale dhe u është dhënë status prioritar për t’u testuar dhe për t’u përdorur.

Spitalet që janë përfshirë në këtë hulumtim ndodhen në Lille, Nantes, Strasburg, Lyon dhe Paris. Në testime do të përfshihen edhe 3200 pacientë nga shtetet e tjera që janë prekur më së shumti nga virusi i ri.

Ndryshe, 647 persona kanë vdekur dhe mbi 16 mijë janë infektuar me koronavirus deri më tani në Francë. Për më tepër, 2200 janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme