Lul Raka, mikrobiolog, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se një i prekur me COVID-19 i infekton mesatarisht një deri në tre persona.
Ai shtoi se numri më i madh i të prekurve me koronavirusin e ri është pas identifikimit të rasteve të para dhe përcjelljes së kontakteve të tyre. Kjo periudhë mund të marrë kohë dy deri katër javë, por siç tha ai, parashikim të saktë është vështirë të jepet.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat po përballen aktualisht institucionet shëndetësore në Kosovë me rastet e koronavirusit?
Lul Raka: Pandemitë e tilla përcillen me sfida në të gjitha shtyllat e përballjes dhe reagimit, siç janë: koordinimi, mbikëqyrja, hulumtimi epidemiologjik, kontrolli në pikat e hyrjes, kapacitetet laboratorike, parandalimi dhe kontrolli i infeksionit, menaxhimi i rastit dhe logjistika. Por, këtu kryefjala është disiplina dhe zbatimi i masave nga populli. Fatkeqësisht, këtyre sfidave iu shtua edhe një barrë e rëndë në kohën e gabuar – konsensusi mes akterëve politikë.
Radio Evropa e Lirë: Bazuar në rastet e para, nëse merret si bazë praktika e vendeve tjera, kur pritet të jetë, kushtimisht thënë, periudha kohore e një numri më të madh të të prekurve me këtë virus?
Lul Raka: Numri më i madh është pas identifikimit të rasteve të para dhe përcjelljes së kontakteve të tyre. Kjo periudhë mund të marrë kohë 2 deri 4 javë, por një parashikim i saktë i lakores është vështirë të jepet.
Radio Evropa e Lirë: Deri në sa persona mund t’i infektojë një i prekur me COVID-19?
Lul Raka: Një i prekur me COVID-19 i infekton mesatarisht një deri në tre persona. Ka raste, si për shembull në Stubëll, kur një person infekton të gjitha kontaktet në shtëpi dhe rasti tjetër i një çifti të infektuar amerikan, të cilët kanë pasur kontakt të ngushtë me 347 persona, por asnjë nuk doli pozitiv në test.
Radio Evropa e Lirë: A e zbaton Kosova protokollin e njëjtë me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për këto raste?
Lul Raka: Kosova zbaton protokollet e OBSH-së dhe ECDC-së (Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve) në të gjitha nivelet e reagimit.
Radio Evropa e Lirë: Pse është e rëndësishme të qëndrojnë njerëzit të izoluar nëpër shtëpi?
Lul Raka: Qëndrimi në shtëpi e ndërprenë zinxhirin e përhapjes nga njeriu në njeri, e parandalon përhapjen e mëtejme, redukton intensitetin e epidemisë dhe e ulë numrin e rasteve të reja. Kjo njëkohësisht, i mundëson sistemit shëndetësor të përgatitet për fluksin eventual të rasteve të reja.
Radio Evropa e Lirë: Kur mund të parashihet të fillojë rënia e rasteve me të infektuar, a ka ndonjë parashikim nga infektologët?
Lul Raka: Nuk mund të thuhet saktë, por zakonisht viruset e rrugëve respiratore që fillojnë në vjeshtë e pëmbyllin ciklin në pranverë ose verën e hershme. Parashikimi është dy deri në katër javët pasuese.
Radio Evropa e Lirë: Sa mund të zgjasë faza e shërimit të një pacienti?
Lul Raka: Kjo varet nga pasqyra klinike e sëmundjes. Te rastet e lehta, prej momentit të shfaqjes së simptomave, deri te shërimi shkon deri në dy javë, kurse te rastet e rënda shërimi mund të zgjasë prej tri deri në gjashtë javë.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...