Google ADS

Edhe Cavani largohet nga karantina në Paris, kthehet në vendlindje

23:23 | 19 Mars 2020
A. B.

Futbollistët kanë nisur t’i lënë karantinat nëpër qytete ku jetojnë e luajnë, duke u kthyer në vendlindje.

Pas Neymar e Thiago Silva, që janë kthyer në Brazil përpara bllokimit të fluturimeve, edhe Edinson Cavani ka lënë Parisin për t’u kthyer në vendlindje.

Sulmuesi uruguaian mbërriti në aeroportin e Montevideos duke veshur maskë dhe doreza, për t’u nisur më pas drejt qytetit Salto, ku ka lindur, në kufi me Argjentinën.

“Shpresojmë që të zgjidhet sa më shpejt kjo situatë, duke i dhënë edhe një dorë qytetit”, foli ai për “Canal 4”.

Ligat nëpër botë tashmë janë suspenduar, me shpresën se armiku i padukshëm, koronavirus, do të zhduket deri në maj, kur edhe është menduar të rinisin kampionatet.

Koronavirusi ka infektuar mbi 225 mijë persona aktualisht në gjithë botën, sëmundje prej të cilës deri më tani kanë vdekur mbi 9 mijë persona.

Italia është vendi më i prekur pas Kinës, por me më së shumti vdekje se Kina.

Pandemia e koronavirusit ka marrë në Itali 3,405 jetë njerëzish, prej tyre 427 vetëm në 24 orët e fundit, më shumë se në Kinë.

Që kur lindi ky virus, në Kinë kanë vdekur 3,245 njerëz, pra në Itali rreth 200 më shumë dhe fatkeqësisht numri po rritet, andaj mesazhi është i qartë për të gjithë, rri në shtëpi, shpëto vetën dhe të tjerët, vetëm në këtë mënyrë mundet ky armik i padukshëm që në mënyrë tinëzare po merr jetë njerëzish. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme