Google ADS

Kurti kritikon Thaçin: Kërkesa e tij për gjendjen e jashtëzakonshme, e paarsyeshme, e palogjikshme

22:12 | 18 Mars 2020
Arbresh.info

Vendimin e Presidentit Hashim Thaçi, për shpalljen e vendit në gjendje të jashtëzakonshme, kryeministri Kurti po e quan si të palogjikshme.

Ai ka adresuar shumë kritika në drejtim të këtij propozimi të Presidentit, raporton arbresh.info

Sipas tij, gjendja e jashtëzakonshme është masë ekstreme, më në skaj të së cilës nuk mund të shkosh më.

“Mbrëmë kishim një zhvillim të pazakontë, meqenëse presidenti i Republikës së Kosovës u angazhua për t’u shpallur gjendja e jashtëzakonshme në vendin tonë”, ka thënë Kurti fillimisht, në një konferencë për media, në natën e së mërkurës.

“Kishim edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, raportet e të cilit i marr përditë. Në këto raporte, ka një gjë të përbashkët: Te konkluza mbi gjendjen e sigurisë është ngjyra e verdhë. Nuk është ngjyrë portokalli, as ajo e kuqe. Situata është nën kontroll, dhe e menaxhueshme”, ka deklaruar ai.

“Por, përkundër kësaj, pikërisht në KS, u propozua që të kemi shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit”, ka shtuar Kurti.

“Për bindjen time të fuqishme, kjo është e paarsyeshme, e palogjikshme, e papërgjegjshme, e padobishme”, ka deklaruar kryeministri i vendit.

“Në konsultën me presidentin pardje, edhe në mbledhjen e mbrëmshme, e përsërita qëndrimin tim, se i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme…”, ka treguar Kurti.

“Tash ne e dimë që jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit të Kosovës, për kërkesën e presidentit për dekretin e tij për gjendjen e jashtëzakonshme. Edhe sot jam i bindur se nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Është  mundshme që një situatë e tillë të shfaqet në javët në vijim. Uroj që kjo të mos ndodhë, por jam i bindur se as mbrëmë, as sot, s’kemi nevojë për një gjë të tillë”, ka vlerësuar Kurti./arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/587673378498734/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme