Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ka shpallur pandemi globale situatën më të jashtëzakonshme të parë deri më tani të quajtur Covid-19. Më shumë se sa pandemi virusale, ne ndodhemi brenda një pandemie paniku psikologjik, pikërisht në epokën më të ndërlidhur të njerëzimit e cila ndodhet diku mes revolucionit të “touch-it” dhe atij të “5G”. Për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, shqiptarët nuk gjenden më në rrugë, e vatani i tyre ngjan me një territor fantazëm. E gjitha nga një qënie mikroskopike e cila në mënyrë progresive po na gjunjëzon, dhe thuhet se po i jep tjetër qasje kuptimit tonë për shoqërinë. Në historinë moderne të Shqipërisë gjithmonë ka pasur ngjarje të cilat kanë i dhënë tingëllimën e vet kohës në të cilën kanë ndodhur. Por të gjitha makthet dhe ankthet janë përjetuar në muajin mars.
Si sot, në vitin 1997, imazhi i shqiptarëve në botë, u prish si kurrë ndonjëherë. Mediat e huaja kishin si temë të preferuar ndarjen Veri-Jug duke shkruar dhe madje duke e bindur publikun perëndimor se kriza në Shqipëri ishte një përplasje midis veriorëve (gegë) dhe jugorëve (toskë). Në Shqipërinë e vitit 1997, situata kishte degjeneruar pas falimentimit të skemave piramidale. Kjo ngjarje, bashkë me zhgënjimin e madh, nxiti protestat e dhunshme në Vlorë, që do të çonin pastaj drejt shpartallimit total të shtetit.
Vendi ishte copëtuar në copëza të vogla, në banda të vogla që administronin ku të mundnin dhe si të mundnin. Qeveria shpalli si program të saj 4 pika kryesore: stabilizimin e rendit publik dhe vendosjen e qetësisë, stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit, zotërimin e gjendjes financiare dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira.
Këshilli i Sigurimit përmes një rezolute të posaçme, vuri në dukje se situata në Shqipëri ishte e rëndë, dhe Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) dhe Bashkimi Europian po mundoheshin të gjenin një zgjidhje paqësore për krizën. Gjithashtu shprehej shqetësimi se kriza në Shqipëri, mund të përhapej edhe në vendet fqinje, në trojet etnike shqiptare. Rezoluta nr. 1101 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u aprovua më 28 Mars 1997, për shkak të shqetësimit në lidhje me situatën në Shqipëri. Këshilli i Sigurimit krijoi një forcë sigurie shumëkombëshe, e cila do të krijonte kushtet për ndihmë humanitare.
Në fillim të Marsit 1998 ajo që do të ndodhte në Kosovë, është cilësuar si Beteja që do të përcaktojë të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës. E njohur si, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo ngjarje tregoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e realizimit të ëndrrës shekullore të gatuar në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.
Më 17 mars 1999, NATO i bëri thirrje në mënyrë ultimative qeverisë së Beogradit të pranojë Marrëveshjen e Rambouillet dhe në rast mospranimi kërcënoi me bombardime. Pasi që delegacioni jugosllav nuk hoqi dorë nga refuzimi, konferenca përfundoi më 23 mars pa asnjë rezultat. Një ditë më vonë NATO filloi sulmet ajrore. Nën presionin e Blair-it NATO vendosi të intervenojë. Madje pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që Kina dhe Rusia, duke pasur parasysh problemet e tyre, nuk mbështetën një vendim të tillë. Ndryshe nga ç’kishte pritur NATO, Millosheviçi pas fillimit të bombardimeve më 24 mars 1999 nuk hoqi dorë nga politika e tij. Qëllimi politik i Aleancës ishte evitimi i një “katastrofe humanitare”. Pas fillimit të sulmeve ajrore dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha. Nga frika prej akteve hakmarrëse serbe brenda pak ditësh më shumë se 800 000 njerëz braktisën vendlindjen e tyre dhe shpëtuan kokën në Shqipëri dhe Maqedoni.
Në vitin 2004 më 17 mars, në Kosovë shpërtheu revolta popullore kundër UNMIK-ut. Trazirat filluan pasi që, një ditë më parë dy fëmijë shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në lumin Ibër. Protestat në shumë qytete të Kosovës, shumë shpejt eskaluan në dhunë. Gjatë këtyre trazirave u dogjën disa shtëpi dhe kisha serbe, diçka e ngjashme ndodhi me shtëpitë shqiptare në pjesët me shumicë serbe. 19 persona, prej këtyre 12 shqiptarë humbën jetën gjatë këtyre trazirave.
Me 15 Mars të vitit 2008 Tirana u trondit nga një shpërthim i fuqishëm, i cili edhe pse ndodhi në periferi të saj, pati pasoja negative jo vetëm tek banorët e kryeqytetit, por në gjithë Shqipërinë. Në Gërdec, një fshat në afërsi të Tiranës, pranë autostradës Tiranë-Durrës, një fabrikë demontimi armësh shpërtheu, ngjarje që u mbyll me 26 viktima, 400 të plagosur e të gjymtuar dhe me 3000 banesa e biznese të shkatërruara.
Të këqiat që na ndodhin në formë të vazhdueshme dhe veçanërisht në muajin mars, për ne shqiptarët, duket se nuk vijnë rastësisht.
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...