Abdixhiku: Asnjë projekt i kontraktuar nuk është larguar prej buxhetit

21:29 | 14 Mars 2020
Arbresh.info

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku tha se asnjë projekt i kontraktuar nuk është larguar prej buxhetit të Republikës së Kosovës.

Ai tha se në ministri e ka gjetur një gjendje alarmante, ku tha se janë kontraktuar miliardë euro projekte e që nuk janë paraparë në buxhet.

“Asnjë projekt i kontraktuar nuk është larguar prej buxhetit të Republikës së Kosovës. Porse në ditën e parë të punës në qeveri kemi gjetur një gjendje alarmante. Vetëm në fushën e projekteve infrastrukturore sot për sot janë të kontraktuara plot 180 milionë euro më shumë sesa qarkorja buxhetore që ka ekzistuar edhe në buxhetin e kaluar edhe në buxhetin e tanishëm. Jo 180 euro, 180 milionë euro më shumë. Vetëm për shpronësime mungojnë 160 milionë euro, hera e fundit që është shpronësuar diçka në Kosovë ka qenë në vitin 2017. Së bashku këto dy shuma bëjnë hiç më pak se 3 40 milionë euro dhe nuk po flas këtu për 50 milionë eurot shtesë të Bechtelit që qeveria i ka anuluar, e as për 110 milionë tjera që pretendoheshin jashtëligjshëm, të cilat bashkë bënin gjysmë miliardë euro para mangut. E kjo është masakra e buxhetit që është provua të bëhet. Kur kontrakton gjysmë miliardë euro më shumë sesa që ki para të parapara në buxhet”, tha ai, raporton KP.

Ministri Abdixhiku tha se prioritet i qeverisë së Kosovës është shtrirja e balancuar në të gjithë rajonet e Kosovës, ku tha se për qeverinë autostrada e vërtetë e Dukagjinit është rruga Prishtinë-Pejë.

“Për qeverinë pjesën e Dukagjinit, autostrada e vërtetë e Dukagjinit për qeverinë është rruga Prishtinë-Pejë, 32 kilometrat e autostradës Kievë-Zahaq. Ky parlament tre vite më parë ka aprovuar kredi, qeveria e Kosovës ka një kohë të gjatë që e paguan interesin e kësaj kredie dhe autostrada nuk ka nisur. A e dini pse nuk ka nisur, se pse qeveria e kaluar për shkak të një pozite të një militanti të caktuar e ka ngrirë të gjithë projektin, sepse projekti është financuar prej BERZH-it, e kur financohet prej BERZH-it rregullat e prokurimit nuk janë të Kosovës, por janë të Banës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kemi pranuar letër prej BERZH-it për ankesat dhe vonesat në një kredi 200 milionëshe që nuk implementohet ende, ky është autostrada e Dukagjinit, lidhja e Pejës me autostradë me Prishtinë, projekt që po pret”, tha ai.

Ai ka përmendur se rruga Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë nuk është kryer për vite me radhë, për shkak të shpronësimeve, e këtë problem tha se e kanë zgjidhur tashmë.

Sa i përket rrugës Plavë-Deçan, ai tha se ka një problem sa i përket zonave të veçanta të mbrojtura, por që tha se është prioritet i qeverisë së Kosovës dhe se posa të zgjidhen çështjet do të përfundohen.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme