Google ADS

Zgjedhjet në Podujevë (s’) duhet të mbahen

09:30 | 13 Mars 2020
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës ka marrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit korona, i cili tashmë është përhapur në gjithë botën.

E një ngjarje me rëndësi që do të zhvillohet këtë muaj, janë zgjedhjet në Komunën Podujevës, të cilat janë paraparë të mbahen më 15 mars.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një prononcim për medie, pohoi se zgjedhjet do të mbahen, shkruan arbresh.info

Mirëpo, ai tha se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, ku janë këshilluar për marrje të masave urgjente mbrojtëse në ditën e zgjedhjeve.

“Pas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me institucionet përgjegjëse lidhur me masat që duhet të ndërmerren nga KQZ-ja si institucion që organizon zgjedhjet. Ne kemi kërkuar një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që të na këshillojnë nëse KQZ-ja duhet të ndërmarrë ndonjë masë urgjente mbrojtëse specifike shëndetësore në ditën e zgjedhjeve më 15 mars 2020”, ka deklaruar Elezi.

Ndërsa sa i përket fushatave Elezi tha se subjekte politike në Podujevë duhet t’i respektojnë masat e marra nga Qeveria.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon subjektet politike që të sillen konform masave, kufizimeve, të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sa i përket çështjes së tubimeve publike”, tha Elezi.

Analistët: Të mbahen zgjedhjet në Podujevë

Njohësi i çështjeve politike në vend, Mazllum Baraliu, u shpreh se meqenëse në Kosovë nuk kemi ende asnjë rast të konfirmuar zgjedhjet do të duhej të mbaheshin mirëpo me kujdese dhe me këshilla nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Do të duhej të mirën masa sipas këshillave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të institutit të shëndetit publik, por zgjedhjet duhet të mbahen. Në Kosovë jemi ndër më të pakta vende që kemi ndonjë rast mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk do të mund të ketë ndonjë rast ndërkohë, por, me një kujdesë të veçantë”, tha Baraliu

Me kujdes të shtuar, Baraliu beson se procesi i zgjedhjeve do të ecte pa asnjë komplikim.

“Ky është një proces i jashtëzakonshëm dhe i rëndësishëm, mendoj se me kujdesin dhe masat paraprake që duhet të ndërmerren dhe kujdesi personal i secilit votues që të jenë afro 1 metër larg njëri tjetrit. Por që zgjedhjet do të duhej të mbaheshin”, tha Baraliu

Të njëjtën e mendon edhe analisti, Fatmir Sheholli.

Por, nëse do të shfaqej ndonjë rast i tillë, do të ishte e palogjikshme nëse ato zgjedhje do të mbaheshin.

“Në gjendje te jashtëzakonshme, nëse kualifikohet një gjendje e tille, atëherë është e palogjikshme te mbahen zgjedhje apo çfarëdo qoftë ndonjë manifestim e tjera”, tha Sheholli.

arbresh.info ka kontaktuar po ashtu edhe me zyrën e presidentit, mirëpo të njëjtit kanë qenë të pa qasshëm.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku mori vendim për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga koronavirusi./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme