KMDLNJ: Institucionet e Kosovës mund të lirojnë një numër të të dënuarve që kanë plotësuar të gjitha kushtet për lirim të parakohshëm

13:37 | 12 Mars 2020
L G

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat parandaluese kundër koronavirusit, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga institucionet të tregohen të vëmendshme dhe të reagojnë në përputhje me rrezikun për shëndetin e personave të privuar nga liria.

KMDLNJ mbështet veprimet e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e koronavirusit, por kërkon që të ndahen mjete shtesë për Shërbimin Korrektues të Kosovës në mënyrë që të përmirësojë kushtet higjienike në Qendrat e Paraburgimit dhe ato Korrektuese, si dhe ta begatojë menynë ushqimore me artikuj të domosdoshëm për këtë situatë.

Ndërprerja e vizitave familjare deri më 27 mars, sipas KMDLNJ-së, është hap pozitiv, por kërkon që Ministria e Drejtësisë të shqyrtojë mundësinë që ata të dënuar e që i gëzojnë të gjitha beneficionet, nuk paraqesin rrezik për siguri dhe se që vlerësohet se e kanë kaluar programin e risocializimit të lejohen të qëndrojnë në shtëpi deri më 27 mars.

Nuk ka asnjë arsye që ata të mbahen në Qendra Korrektuese sidomos ata që janë në Qendrën Korrektuese të Hapur sikur ajo e Smrekonicës. Këtu duhet të qëndrojnë vetëm ata të dënuar që janë në fazën e verifikimit sikur edhe stafi i domosdoshëm për funksionalitetin e kësaj qendre, thekson KMDLNJ.

KMDLNJ konsideron se në situata të jashtëzakonshme sikurse kjo me koronavirus, institucionet e Kosovës me një vendim të jashtëzakonshëm mund të lirojnë një numër të të dënuarve që kanë plotësuar të gjitha kushtet për lirim të parakohshëm, pa e rrezikuar sigurinë e vendit.

KMDLNJ shpreson se institucionet do të trajtojnë me seriozitet këtë rekomandim dhe të angazhohen që mbajtja në burg të zëvendësohet me masa alternative të dënimit.

Njëherësh, KMDLNJ informon familjarët e personave të privuar nga liria, por edhe vetë personat e privuar nga liria që i adresojnë shqetësimet e tyre përmes telefonit se deri në një vendim tjetër të Ministrisë së Drejtësisë dhe SHKK -së do të ndërpresë vizitat monitoruese duke e liruar stafin e Këshillit që janë prindër, nga ardhja në Zyrat e KMDLNj –së dhe të cilët punët e domosdoshme do t’i kryejnë nga shtëpitë ku jetojnë.

“Të privuarit nga liria, familjarët e tyre apo avokatët, çdo shqetësim apo adresim të padrejtësive mund ta bëjnë përmes telefonit dhe në rast kur kanë mundësi edhe duke dhënë deklarata në KMDLNj ku do të ketë gjithmonë persona kujdestarë”, përfundon komunikata e KMDLNJ-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme