Aktori i njohur dhe gruaja e tij rezultojnë pozitivë në koronavirus, po trajtohen në Australi

09:18 | 12 Mars 2020
A. B.

Tom Hanks dhe gruaja e tij Rita Wilson kanë rezultuar pozotivë në testet për coronavirus, dhe kjo u zbulua mbrëmjen e së mërkurës.

Aktori i filmit “Forrest Gump” dhe bashkëshortja e tij, të dy 63 vjeçarë, njoftuan rezultatet pozitive të testit në Instagram duke i bërë thirrje publikut që të ‘kenë kujdes’, shkruan DailyMail.

Çifti aktualisht ndodhet në Gold Coast, Australi, ku fituesi i çmimit “Oscar” po xhironte për një film me regji të Baz Luhrmann, që përshkruante jetën e këngëtarit të famshëm Elvis Presley – film ky i cili është prodhim i kompanisë ‘Warner Bros’.

Hanks zbuloi se ai dhe gruaja e tij përjetuan simptoma, përfshirë ftohjen e zakonshme, dhimbjet e trupit dhe të dridhura para se të vendosnin të testoheshin.

“Përshëndetje, njerëz. Unë dhe Rita jemi këtu në Australi. Ndiheshim pak të lodhur, sikur të kishim ftohje dhe ca dhembje trupi. Rita kishte disa të dridhura që erdhën dhe shkuan. Ethet e pakta gjithashtu. Për t’i vënë gjërat në rregull, siç është e nevojshme në botë tani, ne u testuam për Coronavirus dhe u zbulua se ishim pozitivë”, shkroi aktori në Instagram.

“Epo, tani. Çfarë të bëjmë tjetër? Zyrtarët e Mjekësisë kanë protokolle që duhen ndjekur. Ne Hanks do të testohemi, vëzhgohemi dhe izolohemi për aq kohë sa kërkojmë shëndetin dhe sigurinë publike. Jo shumë më tepër sesa një qasje një-në-një-kohë, jo?”, shkroi Hanks.

“Ne do ta mbajmë botën të postuar dhe azhurnuar. Kujdesuni për veten tuaj! Hanx!”, shkruhej në fund të shkrimit të aktorit me famë botërore.

Ai ndau një fotografi të asaj që duket se ishte një shportë mbeturinash mjekësore dhe një dorezë ‘latex’ në një spital.

Hanks u zhvendos në Gold Coast më 26 janar për xhirimet e filmit, i cili është akoma në fazën e para-prodhimit që do të thotë që kamerat nuk kanë filluar të ‘rrokullisen’ akoma.

Ai u përfol se po qëndronte në Peppers Broadbeach, në të njëjtën ndërtesë hoteliere, ku një shtetas kinez 44-vjeçar, i cili më vonë u bë një nga rastet e para të Australisë me coronavirus, qëndroi, thuhet sipas The Advertiser.

Ai burrë u dërgua në spital më 28 janar dhe u konfirmua se kishte virusin më 29 janar. Ai ishte kthyer kohët e fundit nga Wuhani dhe po udhëtonte me gruan dhe fëmijën e tij dhe po qëndronte në ndërtesën e Oracle, por nuk ishte i ftuar në Peppers Broadbeach, e cila është pjesë e të njëjtës ndërtesë.

Hanks është pjesë e këtij filmi të ri krah aktorëve të njohur si: Rufus Sewell, Austin Butler, Maggie Gyllenhaal dhe Olivia DeJonge.

Në këtë film, Tom Hanks luan rolin e menaxherit të Elvis Presleyt, Kolonel Tom Parker.

Kompania ‘Warner Bros.’ tha në një deklaratë se kur ata u ndërgjegjësuan se dikush në prodhim u diagnostikua me virusin, ata punuan me agjencitë shëndetësore australiane për të siguruar që prodhimi i filmit të jetë i sigurt.

“Jemi bërë të vetëdijshëm që një anëtar i kompanisë nga filmi ynë me skenar dedikuar Elvis Presleyt, i cili aktualisht është në fazën e para-prodhimit në Gold Coast, Australi, ka rezultuar pozitiv për COVID-19 (coronavirus)”, thuhej në deklaratën e kompanisë.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me agjencitë e duhura të shëndetit australian për të identifikuar dhe kontaktuar këdo që mund të ketë ardhur në kontakt të drejtpërdrejtë me individin. Shëndeti dhe siguria e anëtarëve të kompanisë sonë është gjithmonë përparësia jonë kryesore, dhe ne po marrim masa paraprake për të mbrojtur të gjithë ata që punojnë në prodhimet tona në të gjithë botën”, thuhej tutje në deklaratë.

“Individi që është testuar pozitivisht për COVID-19 aktualisht po merret në trajtim”, përfundoi kompania.

Çifti Hanks dhe Wilson kanë katër fëmijë së bashku.

Djali i çiftit Chet Hanks publikoi një video në Instagram të mërkurën në mbrëmje duke thënë se prindërit e tij po ecin mirë pavarësisht, diagnozës së tyre.

“Po, është e vërtetë. Prindërit e mi u diagnostikuan me Coronavirus. Çmenduri. Ata janë të dy në Australi tani, sepse babai im ishte duke xhiruar një film atje, por unë thjesht u dëgjova në telefon me ta. Të dy janë mirë, nuk janë edhe aq të sëmurë”, siguroi Hanks.

“Por unë nuk mendoj se është asgjë për t’u shqetësuar. Vlerësoj shqetësimin e të gjithëve dhe lutjet e fansave, por mendoj se do të jetë në rregull, por e vlerësoj shumë dhe të drejtë, që të gjithë qëndrojnë të sigurt atje. Shume dashuri”, tha djali i aktorit përgjatë videos.

Australia përndryshe ka më shumë se 120 raste konfirmuar raste me coronavirus.

Në Queensland, ku ndodhet Gold Coast, aktualisht ekzistojnë 20 raste të konfirmuara të coronavirusit dhe pothuajse 3,000 njerëz në izolim në shtëpi.

Lajmi për diagnozën e Hanks erdhi pak pasi Presidenti Donald Trump njoftoi një pezullim 30-ditor të udhëtimeve nga Evropa në Sh.B.A. për shkak të shpërthimit të coronavirusit.

Gjithashtu të Mërkurën, Organizata Botërore e Shëndetit e shpalli virusin COVID-19 një pandemi globale.

Hanks dhe Wilson kanë vizituar disa qytete në Australi këtë muaj, duke bërë ndalesa në: Sydney, Brisbane dhe Bondi Beach, ndërsa aktualisht janë me qendër në Gold Coast.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme