Google ADS

Në Mitrovicë nuk ka raste të konfirmuara me Koronavirus

15:50 | 11 Mars 2020
Arbresh.info

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me drejtoreshën e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, kanë takuar akterët kryesor të Institucioneve në Mitrovicë, me të cilët është biseduar rreth masave parandaluese të përhapjes së virusit COVID-19 (Koronavirus).

Në këtë takim morën pjesë drejtori i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, Dr. Fevzi Sylejmani, drejtori i Spitalit Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”, Dr. Enis Istrefi, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Mitrovicë, Dr. Teuta Fejza, komandanti i Stacionit Policor Jug, Ahmet Xhosha, zyrtarë komunal nga drejtoria e Shëndetësisë, Arsimit dhe Inspeksionit.

Gjatë këtij takimi të pranishmit potencuan se të gjitha Institucionet janë duke e zbatuar Planin e Veprimit dhe të Reagimit për COVID-19, dhe se janë duke e monitoruar gjendjen në vazhdimësi në nivelin lokal dhe atë qendror, duke përfshirë institucionet shëndetësore dhe shkollat në të gjitha nivelet të cilat janë pajisur me dezinfektues dhe preparate pastrimi.

Ndërsa kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se nuk kemi nevojë të krijojmë panik te qytetarët, pasi që deri më tani nuk është i konfirmuar asnjë rast i prekur nga ky virus, dhe se të gjitha institucionet shëndetësore duke përfshirë Drejtorinë e Shëndetësisë, QKMF-në, Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike, Spitalin Rajonal dhe Policinë e Kosovës janë në gjendje gatishmërie dhe e monitorojnë situatën në vazhdimësi.

Po ashtu kryetari Bahtiri kërkon nga të gjitha mediat lokale dhe ato qendrore që të mos ketë dezinformata dhe të shqetësohen qytetarët për raste të dyshuara nga Koronavirusi, pa pasur konfirmim të saktë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Në fund drejtoresha për Shëndetësi, Erseka Hasanaj Barani, kërkon nga qytetarët e Mitrovicës që të marrin për bazë këshillat dhe rekomandimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në lidhje me masat mbrojtëse për parandalimin e virusit COVID-19./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme