Google ADS

Albin Kurti “i pafuqishëm” përballë AKI-së, emërimet i quante “jo kushtetuese”

08:02 | 11 Mars 2020
Arbresh.info

Katër muaj pasi kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj kishte emëruar Kreshnik Gashin në pozitën e Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Ky vendim ishte vlerësuar si antikushtetues ndërsa Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve në Kosovë e kishte quajtur “pazar të PAN-it të vjetër”.

Ndërsa pas marrjes së pushtetit, pavarësisht dhjetëra shkarkimeve që ka bërë Qeveria Kurti ende nuk e ka futur në rend dite shkarkimet e mundshme në AKI.

arbresh.info të hënën ka provuar të kontaktoj me zyrën e Kurtit por ka qenë e pamundur të marrë përgjigje.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se të njëjtën shqetësim e kanë edhe sot.

Selimi në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se do të veprojnë në përputhje me kompetencat.

“Të njëjtin shqetësim e kemi edhe sot, por tash Qeveria do ta shohë me kujdes të gjithë procedurën dhe do të veproj në përputhje me kompetencat e saj. Në këtë rast nëse ka rol edhe Kuvendi po ashtu do të veproj. Tash kemi kohë të shohim nga afër të gjithë problematikën”, ka thënë ai.

E i pari i deputetëve të VV-së ka thënë se këtë herë do të respektohen kriteret e përzgjedhjes.

“Kriteret janë të përcaktuara dhe besoj se do të respektohen të gjitha kriteret, tek e fundit ne po diskutojmë tash për mosrespektim të kritereve të mëhershme e nuk duhet të bëjmë në të njëjtën gjë”, ka përfunduar Selimi.

Ndryshe kujtojmë që në fundin e muajit nëntor të 2019-es kur ishin bërë pothuajse 20 ditë nga dorëheqja e Shpend Maxhunit nga posti i drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, kryeministri i atëhershëm e kishte bërë publik lajmin e pasuesit të Maxhunit.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me Presidentin, sot kam emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së. Profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”, kishte njoftuar Haradinaj.

Ndërsa në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhej se Haradinaj nuk kishte kompetenca për emërime të tilla gjatë kohës kur ishte në largim.

“Emërimet antikushtetuese në AKI – pazar i PAN-it të vjetër. Sot u njoftuam nga mediet për pazarin e ri të Thaçit e Haradinajt në kurriz të shtetit. Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin. Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues”, thuhej në reagimin e VV-së./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme