Koronavirusi, informacione të vyera që çdo prind duhet t’i dijë

01:55 | 11 Mars 2020
Trina Galanxhi

Çfarë Është Koronavirusi?

Ky lloj virusi hyn te familja e viruseve të cilat shkaktojnë Sindromën e Rëndë Akute Respiratore (SARS) dhe disa lloje të të ftohurës. Virusi transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me stërklat e lëshuara nga një person i infektuar që kollitet dhe tështin, njofton Organizata Botërore e Shëndetit.

Simptomat e COVID-19 përfshijnë: ethet, temperaturën, kollën dhe vështirësinë në frymëmarrje.

Në disa raste, infeksioni mund të shkaktojë edhe pneumoni.

Ekspertët nuk mund ta nënvizojnë mjaftueshëm rëndësinë e masave parandaluese të higjenës, siç është larja e shpeshtë e duarve për mbi 20 sekonda dhe mbulimi i gojës gjatë tështimës dhe kollës.

A Rrezikohen Fëmijët Nga COVID-19

Sipas një udhërrëfyesi të UNICEF, ky është një virus i ri dhe akoma nuk ka të dhëna të mjaftueshme që të përcaktohet qartë mënyra se si ai ndikon në organizmin e një fëmije apo gruaje shtatzënë.

Ajo që dihet deri më tani është se rastet e infektimit të fëmijëve janë më të pakta në krahasim me grupmoshat e tjera.

Çfarë Duhet Të Bëni Nëse Fëmija Juaj Ka Simptomat e COVID-19?

Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org këshillojnë që në raste të tilla të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.

Zbatoni një rutinë strikte të higjenës me fëmijët.

Shmangni vendet publike për të penguar përhapjen e virusit tek të tjerët.

A Duhet Një Nënë Ta Ushqejë Fëmijën me Qumështin e Gjirit Nëse Ajo Është e Infektuar?

Sipas UNICEF, çdo grua që vëren simptoma të ngjashme, duhet të kontaktojë menjëherë me autoritetet dhe të ndjekë këshillat përkatëse.

Ama, duke marrë në konsideratë vlerat e ushqyerjes me gji dhe rolin aspak domethënës të qumështit në transmetimin e virozave të tjera, UNICEF thotë se nënat duhet të vazhdojnë të ushqejnë fëmijët me gji, duke treguar kujdes.

Ato duhet të mbajnë maskë kur janë pranë fëmijës, duhet të lajnë duart përpara se ta mbajnë atë në krahë dhe pas ushqyerjes.

A Duhet T’i Nxjerr Fëmijët Në Hapësira Publike?

Kjo varet në varësi të hartës së përhapjes së virusit.

Fëmijët mund të dalin në hapësira jo shumë të dendura me njerëz dhe në natyrë.

Megjithatë, ju duhet të shmangni kontaktet me fëmijë të tjerë, kopshtet por edhe hapësirat për fëmijë në qendra tregtare.

Po Kur Fëmija Ka Virozë, A Duhet Dërguar Në Spital?

Nëse fëmija juaj ka temperaturë, rrjedhje hundësh, kollë të lehtë dhe dhimbje fyti, telefonojini pediatrit përpara se të shkoni në spital.

Rrjedhja e hundëve është diçka tipike tek fëmijët dhe rrallëherë simptomë e një virusi më të rrezikshëm.

Po Nëse Fëmija Ka Imunitet Të Dobët?

Duke qenë se informacionet zyrtare dhe të konfirmuara për COVID-19 dhe fëmijët, ekspertët këshillojnë durim dhe qetësi.

Nëse fëmija juaj ka imunitet të dobët, atëherë me gjasë ju duhet të shmangni patjetër vendet e populluara, t’i ushqeni shëndetshëm dhe të jeni të vëmendshëm.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme