Google ADS

Filipçe: Kopshtet, shkollat dhe universitetet mbyllen në 14 ditët e ardhshme

18:30 | 10 Mars 2020
Arbresh.info

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, sot informoi se Qeveria ka miratuar masat shtesë për përballjen me koronavirusin, në mesin e të cilave janë ndërprerja e procesit edukativo-arsimor dhe mësimdhënia në të gjitha kopshtet e fëmijëve, shkollat fillore dhe të mesme si dhe në institucionet e larta arsimore në tërë vendin në një periudhë prej 14 ditësh, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të ndërpritet procesi edukativo-arsimor dhe mësimi në të gjitha kopshtet e fëmijëve, shkollat fillore dhe të mesme në territorin e tërë vendit në 14 ditët e ardhshme. Të lirohen të punësuarit nga detyrat e punës në këto institucione. Për njërin prind të fëmijëve të moshës deri në 10 vjeç do të lejohet mungesa nga puna e cila tërësisht do të paguhet në institucionet publike dhe private po ashtu gjatë 14 ditëve të ardhshme. Ndërpritet veprimtaria mësimdhënëse, procesi në institucionet e larta arsimore në territorin e mbarë shtetit, si dhe në institutet publike shkencore”, tha Filipçe.

Ai informoi se sipas masave ndalohen tubimet masive dhe ngjarjet në hapësira të hapura dhe të mbyllura me mbi 1.000 pjesëmarrës në territorin e mbarë vendit gjatë 14 ditëve të ardhshme, ndërsa rekomandohet të anulohen dhe të mos organizohen edhe ngjarjet nën këtë shifër.

Po ashtu, ministri Filipçe tha se ndalohet mbajtja e garave sportive me tifozë në periudhë prej 30 ditëve të ardhshme në territorin e mbarë shtetit.

Një nga masat e detyrueshme është edhe vetëizolimi i të gjithë personave që vijnë nga vendet me rrezik të lartë dhe të mesëm në periudhë prej 14 ditëve në pajtim me listën e shteteve që e publikon Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Ndalohet organizimi i transportit ndërkombëtar me autobusë, furgonë ose minibusë drejt vendeve me rrezik të lartë nga dhe drejt Maqedonisë së Veriut”, informoi Filipçe.

Ai përcolli rekomandimin nga ana e Qeverisë deri tek të gjitha organet e administratës shtetërore, deri tek njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe kompanitë private për ndërprerje të përkohshme të detyrave të punës, gjegjësisht mos-shkuarje në vendet e punës të grave shtatzëna dhe personave të sëmurë kronik.

Filipçe theksoi se personat fizikë dhe juridik që nuk do t’i respektojnë ose i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen sipas Kodit Penal.

Ministri apeloi që të zbatohen masat për parandalim të cilat arrijnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në Maqedoninë e Veriut deri tani janë konfirmuar 7 raste të koronavirusit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme