Google ADS

KOK nënshkruan kontratat me 10 bursistët “Shpresa Olimpike 2020”

16:39 | 10 Mars 2020
Arbresh Info

Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar kontratat me 10 bursistët, të cilët do të marrin paga mujore nga KOK-u si “Shpresa Olimpike 2020”. Në ceremoninë e organizuar në Hotel Sirius në Prishtinë, krahas drejtuesëve të KOK-ut, presidentit Besim Hasani dhe sekretarit të përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, morën pjesë sportistët, trajnerët dhe përfaqësuesit e federatave.

Sportistët që do të marrin paga nga 100 Euro në muaj gjatë vitit 2020 janë: Arti Krasniqi (not), Fatjona Kasapi (xhudo), Betim Maliqi (karate), Albina Deliu (atletikë), Besart Pireva (boks), Alaudin Suma (atletikë), Edi Dvorani (shigjetari), Njomza Nuraj (taekwondo), Vesa Gjinaj (tenis) dhe Fatlum Brakaj (mundje).

Presidenti Hasani deklaroi se KOK-u do të jetë në mbështetje të realizimit të ëndrrave të sportistëve.

“Padyshim se në një konkurrencë të jashtëzakonshme, ju 10 sportistët keni qenë më të mirë se të tjerët për disa nuanca, por nuancat e bëjnë dallimin dhe me këtë kemi dashur ta dëshmojmë se sportistët jo që janë në zemër të KOK-ut, por janë vet zemra e KOK-ut. Ne presim nga ju që kjo të jetë një motiv për t’u angazhuar shumë më tepër, për të arritur më shumë dhe të ecni sigurt drejt realizimit të ëndrrave tuaja”, u shpreh presidenti Hasani.

Sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, deklaroi se KOK-u ka rritur numrin e bursistëve nga gjashtë në dhjetë, derisa përmendi edhe bursat Olimpike Tokio 2020 dhe LOD Pekini 2022, të cilat jepen në bashkëpunim me Solidaritetin Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Në emër të sportistëve, taekwondistja, Njomza Nuraj, tha se kjo përkrahje është lehtësim sado i vogël për të vazhduar karrierën dhe se tani e tutje nuk do të mendojmë për problemet financiare, por vetëm për rezultate.

Edhe boksieri Besart Pireva u shpreh se atyre u mbetet t’ua shpaguajnë besimin KOK-ut dhe mënyra më e mirë për këtë është kualifikimi në LO Tokio 2020. Pikërisht Pireva do të synojë normën Olimpike 2020.

Krahas këtyre 10 Shpresave, BE i KOK-ut në fund të vitit 2019 përzgjodhi edhe 10 Shpresa Olimpike 2020, të cilat do të marrin paga mujore në vlerë 150 Euro nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport.

Pas ceremonisë, u organizua edhe një ligjëratë për njohuri të anti-dopingut, ku sportistëve dhe trajnerëve iu ligjëroi koordinatori i KOK-ut për anti-doping në Kosovë, Gëzim Murseli, njëherit anëtar i Komisionit Mjekësor të KOK-ut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme