Një zyrtar i NATO-s që foli në kushte anonimiteti, sqaron se KFOR-i aktualisht numëron 3.000 deri në 3.500 trupa dhe në të ardhmen e afërt nuk planifikohet ndryshim i këtyre numrave
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, aktualisht numëron 3.000 deri në 3.500 trupa dhe në të ardhmen e afërt nuk planifikohet ndryshimi i këtyre numrave, thonë burime anonime nga selia e NATO-s në Bruksel.
Një zyrtar i NATO-s që foli në kushte anonimiteti, sqaron se KFOR-i ushtron mandatin e tij në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), duke theksuar se ndër qëllimet kryesore të tij është të ruaj mjedisin e sigurt në Kosovë, lirinë e lëvizjes si dhe ndërtimi i kapaciteteve të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe shërbimeve të emergjencave civile.
“Dy herë në vit bëjmë Vlerësime Gjithëpërfshirëse të Sigurisë, ku ushtria thotë nëse duhet të mbajmë numrat e ushtarëve, të rrisim apo të ulim. Në gjashtë vlerësimet e fundit, analizat thonë se ‘situata për momentin është e qetë’, andaj ne mbajmë numrat e njëjtë”, thotë zyrtari i NATO-s.
Duke theksuar se vlerësimi i fundit është bërë në janar të këtij viti, ai thotë se “në të ardhmen e afërt nuk pritet një ulje e numrit të ushtarëve të NATO-s”.
Ndonëse disa shtete në mënyrë të njëanshme kanë vendosur të tërheqin ushtarët e tyre, ai thekson se nuk është me rëndësi nëse ushtarët janë nga Shqipëria apo ndonjë vend tjetër i NATO-s.
Nga selia e NATO-s në Bruksel gjithashtu informojnë se Republika e Kosovës nuk është e njohur nga 4 shtete anëtare të NATO-s, gjë që nënkupton se Aleanca Veriatlantike nuk mund ta njohë Kosovën dhe nuk mund ta konsiderojë si vend-partner.
Rikujtojmë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 filloi me një fushatë ajrore kundër Serbisë, e cila erdhi pas një periudhe të përshkallëzimit të dhunës midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave serbe.
Fushata ajrore detyroi forcat serbe të tërhiqen në qershor të vitit 1999.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi këmbëngul se vendi mbetet pjesë e Serbisë. Që atëherë, tensionet kanë vazhduar midis shqiptarëve dhe pakicës serbe në veri të Kosovës./AA
Pavarësia e Kosovës njihet nga mbi 100 shtete, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Turqinë.
Serbia, Rusia dhe Kina janë ndër vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...