Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në seancën e veçantë të Kuvendit, që u mbajt me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kushtuar sensibilizimit të çështjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Para deputetëve, kryeministrit Kurti tha se edhe pse kanë kaluar 22 vjet, plagët e luftës ende janë të hapura. “Plagët i kemi të hapura në shumë fronte. Kemi ende persona të zhdukur, dëme që akoma s’i kemi matur, dhe shumë borxhe të papaguara.
Por, fronti që na ka hapur plagë më tepër e për të cilin dua të kem vëmendjen tuaj sot, janë gratë dhe burrat e përdhunuar të cilët edhe sot vazhdojnë të jetojnë me barrën e rëndë të padrejtësisë, stigmës dhe izolimit”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri Kurti theksoi se si qytetar e si aktivist, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës e ka pasur për detyrë të flas e të kërkoj veprim shtetëror, ndërsa sot si kryeministër i vendit e ka për detyrë të veproj.
“Kriminelët e luftës duhet të dënohen për krimet e shkaktuara në të gjitha frontet. Deri sot ka pasur mungesë të qartë të angazhimit politik për ndjekjen penale të krimeve dhe kriminelëve të luftës dhe kjo vonesë kaq e madhe është po ashtu një pengesë e madhe. Mungesa nuk ka qëndruar vetëm në ndjekjen penale të tyre, por për shumë vjet edhe në vetë njohjen e tyre si viktima të luftës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në seancën e veçantë të Kuvendit, kryeministri Kurti theksoi një ndër prioritetet e Qeverisë është padia e Kosovës për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Kjo do të jetë rrugë e gjatë, sepse dëshirojmë që të sigurohemi që të jemi të suksesshëm në këtë proces, por ne veçse kemi filluar punën në këtë drejtim. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të kemi qetësi”, u shpreh kryeministri Kurti./arbresh.info
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Turpi nuk i përket atyre që u përdhunuan, por gjithë të tjerëve, gjithë neve tjerëve.
Shumë e respektuara, znj. Vasfije Krasniqi Goodman, mirë se erdhe në shtëpinë tënde,
E nderuara Kryetare e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani,
E nderuara Nënkryetare, znj. Arbërie Nagavci,
Të nderuara deputete e deputetë të Kuvendit,
Të nderuar ministra, e zëvendëskryeministra,
Shkëlqesi ambasadorë dhe mysafire të nderuara,
Të nderuar qytetarë të Republikës.
22 vjet kanë kaluar. Unë dje mora pjesë në dy marshe publike për të drejtat e grave, në Ditën Ndërkombëtare të tyre, më 8 Mars, dhe bëmë homazhe në Kompleksin Memorial “Heroinat”.
Sot jemi këtu në Kuvendin e Republikës për të folur për një çështje që është sa e dhimbshme po aq edhe tragjike.
22 vjet kanë kaluar dhe plagët e luftës ende janë të hapura. Plagët i kemi të hapura në shumë fronte. Kemi ende persona të zhdukur, dëme që akoma s’i kemi matur, dhe shumë borxhe të papaguara. Por, fronti që na ka hapur plagë më tepër e për të cilin dua të kem vëmendjen tuaj sot, janë gratë dhe burrat e përdhunuar të cilët edhe sot vazhdojnë të jetojnë me barrën e rëndë të padrejtësisë, stigmës dhe izolimit.
Ne nuk mundemi as të imagjinojmë dhimbjet dhe tmerrin që të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës kanë përjetuar, por edhe vuajtjet e vazhdueshme pas luftës duke jetuar të heshtur, të izoluar e të harruar.
Si qytetar e si aktivist, dhe si deputet i Kuvendit të Republikës, e kam pasur për detyrë të flas e të kërkoj veprim shtetëror. Sot, si Kryeministër i vendit tonë e kam për detyrë të veproj.
Kriminelët e luftës duhet të dënohen për krimet e shkaktuara në të gjitha frontet.
Deri sot ka pasur mungesë të qartë të angazhimit politik për ndjekjen penale të krimeve dhe kriminelëve të luftës dhe kjo vonesë kaq e madhe është po ashtu një pengesë e madhe. Mungesa nuk ka qëndruar vetëm në ndjekjen penale të tyre, por për shumë vjet edhe në vetë njohjen e tyre si viktima të luftës.
Me kalimin e shumë viteve dëshmitarët vdesin dhe po ashtu edhe kriminelët, duke e bërë të pamundur gjykimin e tyre e sjelljen e tyre para drejtësisë. Por, asgjë nuk na ndalon që t’i gjykojmë ata në mungesë.
Heshtja dhe mos veprimi e mbron krimin dhe ekzekutuesin e krimit. Gjykatat dhe prokuroritë tona duhet t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal rastet e dhunës seksuale në Kosovë. Legjislatura e kaluar e Kuvendit ka miratuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që lejon gjykimin në mungesë për krime lufte, çka do të thotë se institucionet e Kosovës kanë të drejtë të nisin hetimet edhe nëse i dyshuari nuk është prezent në seancë gjatë gjykimit.
Qeveria është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë të Prokurorisë për të rritur kapacitetet e nevojshme në këtë drejtim. Jemi mëse të vetëdijshëm për ndarjen e qartë të pushteteve, dhe do të respektojmë deri në pikën e fundit pavarësinë e gjyqësorit, por në anën tjetër dëshiroj të bëj të qartë se do të ofrojmë krejt ndihmën që na kërkohet.
Në Kosovë, edhe 22 vjet pas luftës, nuk kemi akoma AS EDHE NJË AKTGJYKIM PËRFUNDIMTAR fajësues në lidhje me rastet e përdhunimi në kohë lufte. ASNJË. Kemi vendime të shkallës së parë, të cilat janë kthyer mbrapsht në shkallët e apelit. Kjo, përkundër faktit që kemi gra e burra që kanë folur, kush publikisht e kush veç në Prokurori.
Kemi zonjën Marte Tunaj, e cila ishte e para grua që në vitin 2013 dëshmoi hapur për përdhunimin që kishte përjetuar, dhe e cila vdiq në maj të vitit 2016 me një pension prej 96 eurosh. Kemi zonjën Vasfije Krasniqi – Goodman, e cila e ka vazhduar misionin e shenjtë të Marte Tunajt duke folur në vazhdimësi hapur për këtë çështje që lëndon gjithë kombin tonë, dhe, së fundmi, kemi edhe zonjën Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e cila njashtu ka treguar forcë të pashembullt kur ka vendosur të flasë për eksperiencën e saj.
Unë sot i falënderohem guximit të këtyre grave që frymëzojnë, dhe inkurajoj edhe gratë e burrat e tjerë që të kërkojnë drejtësinë e munguar.
Siç e dini, më 5 shkurt të vitit 2018 ka filluar punën Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Deri tani ky Komision ka pranuar 1.226 aplikacione prej të cilave në 785 rasteve u është njohur statusi, 236 u është refuzuar dhe 223 raste janë në rishqyrtim.
Unë dua të shfrytëzoj këtë rast për të ju bërë thirrje personave të përdhunuar që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre. Qeveria do të trajtojë me përgjegjësi dhe seriozitet çdo kërkesë të Komisionit për të kryer punën efektivisht dhe do t’iu ofrojmë mbështetjen e nevojshme organeve të ndjekjes për dënimin e kriminelëve.
Procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të personave të dhunuar është një proces shumë delikat, por tejet i rëndësishëm për të ardhmen e viktimave dhe familjeve të tyre, por edhe për gjithë shoqërinë, prandaj unë pres që çdo pengesë për realizimin e mandatit të këtij komisioni të evidentohet dhe të adresohet te Qeveria sa më parë. Ky proces ka nisur me vonesë të jashtëzakonshme, por është më mirë që ka nisur tash, sesa të mos kishte nisur fare.
Unë nuk mundem ta zhbëj të kaluarën e as të kthej kohën prapa për të adresuar në kohë këtë çështje që do duhej të ishte adresuar me kohë. Po të ishte e mundur do ta bëja, por unë mundem tash në emër të Qeverisë së re të them se ne bashkë-ndjejmë me vuajtjet dhe tragjedinë tuaj dhe unë nuk jam i qetë derisa ju të gjeni qetësinë dhe drejtësinë që meritoni.
Përdhunimet gjatë luftës janë krime më të tmerrshme që kanë ndodhur, por ato asnjëherë nuk u trajtuan në bisedimet me Serbinë. Ne do të sigurohemi që kjo të ndryshojë, sepse nuk mund të arrijmë paqe pa pranuar të kaluarën.
Kërkim falja nga Serbia, reparacionet dhe qasja në drejtësi do të jenë pjesë e dialogut.
Një ndër prioritetet e Qeverisë tonë është padia e Kosovës për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo do të jetë rrugë e gjatë, sepse dëshirojmë që të sigurohemi që të jemi të suksesshëm në këtë proces, por ne veçse kemi filluar punën në këtë drejtim. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të kemi qetësi.
Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to.
Të faleminderit Vasfije.
Ju faleminderit të gjithëve.
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...