Kurti: Qeveria është duke u përgatitur mirë për ta paditur Serbinë për gjenocid

12:10 | 9 Mars 2020
M. A.

Me rastin e Ditës së Gruas, Kuvendi i Kosovës mban seancë të veçantë, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë seancë po merr pjesë edhe Vasfije Krasniqi- Goodman, gruaja e parë që publikisht ngriti zërin si e dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e nisi fjalimin e tij duke thënë se turpi nuk i përket atyre që u përdhunuan por, të gjithë neve.

Kryeministri ka thënë se Qeveria është duke u përgatitur mirë për ta paditur Serbinë për gjenocid.

“Një ndër prioritetet e Qeverisë tonë është padia kundër Serbisë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo do të jetë një rrugë e gjatë sepse dëshirojmë të sigurohemi që të jemi të suksesshëm në këtë proces. Por ne kemi filluar punën në këtë drejtim”, u shpreh Kurti.

Kurti është zotuar se në dialogun me Serbinë do të kërkohet që Serbia të japë përgjegjësi për të gjitha dëmët që i ka shkaktuar Kosovës dhe do të kërkojë drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Deri tash nuk është folur për këto raste në dialogun me Serbinë, Ne do të sigurohemi që kjo të ndryshoj sepse nuk mund të ketë  pajtim pa kërkimfalje. Pa ndëshkim të krimeve të luftës nuk mund të ketë qetësi”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmenduar tri gratë shqiptare të cilat publikisht kanë rrëfyer historitë e tyre.

“Ishte Marte Tunaj në 2013, e cila vdiq në maj të 2016’s me një pension prej 96 eurosh. Kemi Vasfije Kransiqin, kemi edhe Shyhrete Sylejmani. Unë sot i falënderohem guximit të këtyre grave dhe inkurajoj edhe gra dhe burra të tjerë që të kërkojnë drejtësinë e munguar”, ka thënë Kurti.

“Në emër të Qeverisë them se bashkendiejmë me ju dhe se unë nuk jam i qetë derisa ju të gjeni qetësinë dhe drejtësinë që ju e meriton”, ka deklaruar Kurti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme