Brexit u kushtoi taksapaguesve britanikë 5 miliardë euro

18:12 | 7 Mars 2020
Arditë Shkodra

Brexit u kushtoi taksapaguesve britanikë mbi 5 miliardë euro. Për herë të parë pasi vendi la bllokun e përbashkët publikohet raporti i shpenzimeve. Ndonëse ato mbeten brenda parashikimeve fillestare, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditit tregon se sa i kushtueshëm ka qenë procesi. Të tjera shpenzime në vazhdim parashikohen për procesin e negociatave të marrëveshjes tregtare.

Britania e Madhe ka shpërdoruar paratë e taksapaguesve, duke harxhuar mbi 5 milionë euro vetëm për hartimin e dokumentacionit të nevojshëm për largimin e vendit nga Bashkimi Europian. Lajmi vjen nga Zyra Kombëtare e Auditit e Britanisë, e cila më 6 mars publikoi një raport të hollësishëm prej 32 faqesh.

Dokumenti jep hollësi mbi shpenzimet operative të mbi 18 departamenteve qeveritare, shumica ministri, nga qershori 2016 deri më 31 janar 2020, ditën që Mbretëria e Bashkuara la bllokun e përbashkët.

Studimi fokusohet mbi shpenzimet e punonjësve, ekspertiza dhe këshillimi i jashtëm, por edhe përgatitja e infrastrukturës, sistemeve apo    fushatat e komunikimit.

Vetëm për punonjësit “janë shpenzuar nga buxheti 1.9 miliardë paund; 288 milionë për ekspertizën dhe konsulentët dhe 1.5 miliardë paund për ndërtimin e sistemeve dhe infrastrukturës së re,” thekson raporti, transmeton oranews

Pas referendumit të qershorit 2016, departamentet e qeverisë u përgatitën për dy skenarë, duke planifikuar një dalje me “marrëveshje” dhe skenar për daljen nga blloku europian “pa marrëveshje”.

“Ky raport siguron, për herë të parë, një panoramë të qartë se sa ka shpenzuar qeveria dhe për çfarë ka shpenzuar,” thuhet në një deklaratë për shtyp të Zyrës Kombëtare të Auditit të Britanisë.

 Tani që kaloi faza e parë e Brexit-it, kanë nisur takimet për të përcaktuar marrëveshjen tregtare që do të vendoset mes palëve. Një periudhë gjithashtu e vështirë dhe me shpenzime të tjera shtesë për taksapaguesit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme