Qeveria kërkon stabilitet në UP

08:05 | 17 Tetor 2015
Arbresh.info

Studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat deri në plotësim të kërkesave të tyre. Protesta do të mbahet sërish të hënën prej orës 09:00, ndërsa Qeveria kërkon stabilitet në UP, shkruan Zëri.

Jo më shumë se 50 studentë të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, nga rreth 55 mijë sa llogaritet të ketë ky Universitet kanë protestuar për afate shtesë të provimeve para Rektoratit. Për herë të dytë ata kanë tentuar të bllokojnë hyrjen e Rektoratit dhe të pamundësojnë procesin e punës në këtë Universitet, në shenjë pakënaqësie ndaj menaxhmentit të UP-së dhe Këshillit Drejtues që nuk kanë miratuar kërkesën e studentëve. Është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të zhbllokuar Rektoratin e këtij Universiteti.

Pjesëtarë të Policisë kanë larguar studentët protestues nga shkallët e Rektoratit ku ata kanë qëndruar prej orëve të hershme të mëngjesit. Përfaqësues të Parlamentit të Studentëve nën organizimin e të cilëve po mbahet kjo protestë, u kanë bërë thirrje studentëve që të vazhdojnë protestën të hënën prej orës 09:00. Sipas tyre, protestat do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme