Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim:
Reagim ndaj presionit të Ministres Hykmete Bajrami në Universitetin e Prishtinës
Zonja Ministre Bajrami,
Më lejoni fillimisht të shpreh kënaqësinë time për vendimin e Senatit të UP-së, që duke respektuar në plotni rregulloren për avancime ka refuzuar avancimin tuaj, duke e kthyer atë në Këshillin e Fakultetit Ekonomik siç është paraparë me procedurat në fuqi.
Në anën tjetër më lejoni të shpreh zhgënjimin tim të thellë me reagimin tuaj të pamatur dhe kërcënues ndaj Senatit të Universitetit të Prishtinës, ndaj autonomisë akademike që gëzon ky Senat si dhe ndaj procesit të avancimeve i cili po ndodh aktualisht në Universitetin tonë.
Vendimi i Senatit është i drejtë dhe meritor në rastin tuaj, siç ka qenë që nga viti 2017 për të gjitha avancimet për sa i përket numrit të punimeve shkencore, kur në UP ka filluar zbatimi i rregullave dhe ligjeve në fuqi. E ky zbatim është rezultat i luftës së pandalshme të organizatave joqeveritare, studentëve dhe medieve, të cilët që nga viti 2013 u angazhuan aktivisht për cilësi në universitet, duke shkarkuar atëkohë rektorin Ibrahim Gashi pikërisht për çështje që lidhen me avancimin akademik.
Ndërkaq, ju keni vetëm dy punime të publikuara deri në afatin e konkursit, në të cilat mund të identifikoheni si autore e parë ose korrespodente, pra vetëm dy punime të vlefshme për avancim. Punimi i tretë i juaji nuk ka shënim për autorin korrespodent, siç kërkohet me rregullore, dhe në të janë më shumë se dy autorë, pra tre autorë, ndonëse kjo është munduar të fshehet nga Fakulteti Ekonomik, ku ju punoni si profesore, meqë autori i tretë nuk figuron në raportin e buletineve, por figuroni vetëm ju dhe autorja e parë.
Rregullorja është shumë e qartë dhe kërkon që autori korrespodent të specifikohet në punim kur ka më shumë se dy autorë. Letrat, fizike, elektronike, me nënshkrime, pa nënshkrime, me vula, pa vula, janë jorelevante sepse kështu kanë qenë për të gjithë të tjerët qe 3 vite dhe kështu duhet të jenë edhe për njeriun më të pushtetshëm në arsim, Ministren e Arsimit.
Zonja Ministre,
Kjo do të thotë që ju nuk i plotësoni kriteret për t’u avancuar në pozitën e profesorit të asocuar.
Përmendja e “palëve të treta” të përfshira në këtë proces, sikur ato të ishin ndonjë grup kriminal që funksionon fshehurazi, është e pandershme nga ana juaj. Botërisht dihet që pala e tretë e përfshirë në këtë proces është Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e cila përmes monitorimit dhe presionit publik ka bërë që prej fillimit të monitorimit në vitin 2017, avancimet jomeritore për sa i përket numrit të punimeve shkencore të jenë: zero.
Në takimin që kemi pasur me 14 shkurt 2020, në zyrën tuaj, ku unë ju urova për punën dhe ku biseduam për rreth dy orë në mënyrën më miqësore që kam zhvilluar ndonjëherë ndonjë takim me zyrtar shteti, ju asnjëherë nuk e ngritët si shqetësim përfshirjen tonë në proces, përkundrazi na lavdëruat për kontributin dhe na falënderuat madje.
Aludimin tuaj se ju keni pranuar shantazhe, për të mos e quajtur ndryshe sepse dua ta respektoj institucionin e shtetit, po e quaj vetëm inat të një humbësi, meqë nuk arritët të avancoheni. E kjo nuk i ka hije fare një gruashteti, sidomos jo një profesoreje të universitetit më të mirë në vend.
Zonja Ministre,
Është e vërtetë se pas diskutimeve rreth 1 orë për problemet e ndryshme në arsimin e lartë, me qëllim që ta ruaj integritetin tuaj në sytë e bashkëpunëtorëve tuaj dhe të mi, kërkova që ne të dy të bisedonim sy më sy lidhur me avancimin tuaj. Jua sqarova rregullat, procedurat dhe praktikat e deritashme te rastet e ngjashme me tuajin, duke besuar se ju nuk jeni e informuar mirë dhe ju këshillova që të mos vini në pozitën ku do të refuzoheni nga Senati siç edhe ndodhi. Duke ditur se ju keni publikime tjera të botuara pas afatit të konkursit, që do të thotë se ju do të mund të avancoheshit në një konkurs të radhës, unë po ashtu ju informova që në të kaluarën ka pasur raste kur pozita e njëjtë u është vazhduar profesorëve të caktuar edhe për një vit. Një praktikë e tillë juve do t’ju mundësonte aplikimin përsëri në konkursin e radhës. Madje ofrova që të interesohem e të hulumtoj për raste të ngjashme ashtuqë t’ju informoj për këtë mundësi më në detaje. Nëse ju këtë e keni kuptuar si fuqi timen për t’jua vazhduar kontratën edhe për një vit, atëherë më lejoni t’ju them se jam shumë i shqetësuar për mënyrën se si i kuptuakeni ju gjërat! Do të duhej të ishte e qartë për ju që një aktivist nuk nënshkruan e as vazhdon kontrata të asnjë lloji në universitete publike.
Krejt ky informim dashamirës nga ana ime, ishte diçka që në fakt nuk do të duhej ta kisha bërë, sepse ky qe një trajtim special që nuk ia kemi bërë askujt, e nuk është dashur t’ua bëjmë as juve, por është dashur t’ju denoncojmë publikisht e të kërkojmë llogari nga ju për tentimin për t’u avancuar në mënyrë jomeritore, aq më tepër përderisa jeni në pushtet pasi kjo përbën konflikt interesi.
Të pretendoni se jeni shantazhuar nga një aktivist që është halë në sy për pushtetin që sapo ra, ndërkohë që ju jeni personi më i pushtetshëm në arsim, pra nga një person që nuk gëzon përkrahje të asnjë pale me pushtet formal, është thjesht dhe vetëm: sulm për të mbrojtur veten pas një fiaskoje të turpshme që ua shkaktoi Senati dje.
Zonja Ministre,
Tash që e hapët diskutimin për publikun, dhe mirë bëtë, është edhe një çështje që duhet të na e sqaroni të gjithëve. A na tregoni cilën nga punët e keni punë me gjysmë orari, punën si Ministre, apo punën si profesore në Universitet? Nëse keni lajmëruar në ATK si punë me gjysmë orari punën tuaj si Ministre, atëherë më lejoni të konstatoj një katastrofë institucionale. Kosova do të jetë vendi i parë në botë që ka ministër part time. Kjo, po të mos ishte tragjike, do të bëhej Oooops-i i vitit pa pasur nevojë të presim deri në natën e Vitit të Ri 2021. Nëse është e dyta, që ju e keni punë me gjysmë orari punën në Universitet, atëherë ju nuk mund ta mbani pozitën e profesorit, e qa më pak të avancoheni, sepse kjo është në kundërshtim me vendimet e Universitetit. Ju duhet të veproni siç kanë vepruar kolegët tuaj në të kaluarën, pa shkuar hiç më larg sesa te partia juaj, te zonja Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit, e cila ka ngrirë pozitën e saj akademike si asistente në UP.
Zonja Ministre, urdhëri juaj shantazhues për Senatin e UP-së, që ta respektojnë ligjin në mënyrën si e interpretoni ju, pra në favorin tuaj privat, është cënim i drejtpërdrejtë i autonomisë akademike të Universitetit. Ju e dini se një gjë e tillë është vijë e kuqe që nga viti 1997, dhe askush që nga atëherë, sado i madh, i fortë e i pamëshirshëm ka qenë, nuk ka ngadhënjyer mbi luftën e studentëve, aktivistëve dhe shoqërisë sonë për ta mbrojtur Universitetin.
E tash kërkesa ime publike për ju: JU LUTEM, TËRHIQUNI NGA AVANCIMI DHE NGRIJENI POZITËN E PROFESORIT!/arbesh.info
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...