Google ADS

Maqedoni, “Beteja për vota përmes nxitjeve ndëretnike”

11:41 | 6 Mars 2020
Arbresh.info

Sikur në ciklet e kaluara zgjedhore, edhe në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill, temat etnike kanë nisur të dominojnë aktivitetet e partive politike.

Ndërrimi i emrave disa shkollave në Çair të Shkupit, pikërisht në prag të zgjidhjeve, ka nxitur polemika mes partive si për procedurën ashtu edhe për emrat e rinj nga maqedonas në shqiptarë, por polemikat janë përqendruar edhe në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Lidhja Socialdemokrate (LSDM) fillimisht kishte shprehur rezerva për ndërrimin emrave, por më pas ka pranuar se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin. Megjithatë, OBRM-PDUKM-ja opozitare ka kundërshtuar fuqishëm duke akuzuar për shkelje të procedurave me elementare dhe anashkalimin e këshilltarëve maqedonas në atë komunë që është me shumicë shqiptare.

Ndërkohë, edhe pse bashkërisht e kanë miratuar Ligjin për gjuhët, LSDM-ja dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që janë pjesë e qeverisë aktuale, kanë shkëmbyer akuza nëse duhet ose jo që tabelat e disa institucioneve në zonat me popullatë shumicë maqedonase duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe.

OBRM-PDUKM-ja opozitare, LSDM-ja dhe BDI-ja kanë pasur përplasje për një koalicion që partia e Zoran Zaevit ka arritur me një parti shqiptare, Lëvizjen Besa, që shënon edhe koalicionin e parë parazgjedhor mes një partie shqiptare dhe një maqedonase.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pak para arritjes së koalicionit tha se partia që drejton më nuk është maqedonase.

“Ne nuk jemi për parti maqedonase, por parti shumetnike me trup votues të dominuar nga maqedonasit. Ne angazhohemi për shtet dhe shoqëri të përbashkët, ku të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë para ligjit” ka deklaruar Zaev.

Kjo deklaratë e Zaevit nxiti reagime nga partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, e cila tani proklamohet si parti që do të jetë mbrojtëse e popullit maqedon.

“Nuk mund të sjell ndonjë konkluzion logjik se si është e mundur që njeriu të turpërohet nga prejardhja e tij dhe të presë që etnitetet tjera do ta respektojnë më shumë. OBRM-PDUKM-ja mbetet partia maqedonase e cila ka qenë dhe mbetet mbrojtëse e popullit maqedon dhe e qytetarëve të këtij shteti”, ka deklaruar Hristijan Mickovski, kryetar iOBRM-PDUKM-së.

Por, në anën tjetër edhe Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se do të jetë mbrojtëse e shqiptarëve, teksa kjo parti kritikon koalicionin parazgjedhor ndërmjet LSDM-së dhe Lëvizjes Besa.

“Kjo aleancë është në kundërshtim me interesat shqiptare për shkak se defaktorizon peshën e votës shqiptare, por para se gjithash edhe rolin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të mekanizmit të Badenterit në mbrojtjen e interesave shqiptare”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Megjithatë, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev në disa prononcime ka kërkuar që në zgjedhje të fitojë 61 deputet, aq sa nevojiten për të formuar qeverinë, që të mos kushtëzohet nga partitë tjera, duke aluduar në BDI-në, e cila në anën tjetër fushatën e ka përqendruar në çështje etnike.

Njohësit e çështjeve politike thonë se çështjet ndëretnike, sikur edhe çdo polarizim, gjithmonë nxiten para zgjedhjeve sepse partitë besojnë se kjo është mënyra më e mirë që të mund të fitojnë vota.

Por, Aleksandar Kërhzalovski nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, thotë se kësaj radhe mund të ketë ndryshim në qasjen e partive, në veçanti te LSDM-ja pas deklarimit se është parti shumetnike.

“Veçanërisht BDI dhe OBRM-PDUKM-ja do të jenë aktive me përplasjet mbi baza etnike për të homogjenizuar dhe për të marrë vota, do të thotë për të ngritur tensione për të demonstruar se këto parti janë mbrojtëse të Maqedonisë ose shqiptarëve. Megjithëse tani kemi një element të rëndësishëm, çështja është nëse dhe si do të ndikojë në këto zgjedhje qëndrimi i LSDM-së që në zgjedhje të marrë pjesë në koalicion me një parti shqiptare, Lëvizjen Besa. Tani, nëse LSDM do të përhapte multietnicitetin, atëherë OBRM-PDUKM dhe BDI do të vazhdonin me fushatën e monoetnicitetit ”, thotë Kërhzalovski./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme