Gratë kanë luftuar për barazi për qindra vjet, ndërsa po vjen një fazë ku fenomeni i pabarazisë ka filluar të ulet, dhe dukshëm nuk është zemërimi që dikur është përdorur si faktor kyç. Armët e tyre më të forta, me të cilat janë ndeshur që në krye të herës, qofshin këto protestat e hapura, por edhe ideologjitë, janë shfaqja më dinjitoze e femrave që luftojnë për të vendosur pozitat e tyre në vend. Diçka që “lexohet” dukshëm edhe në botën e modës, çka i ka bërë modelet, por edhe stilistët me peshë, të ngrenë pikëpyetje se: a është vërtet moda një qasje feministe?!
Megjithatë, bota drejtohet ende nga burrat!
Diçka e tillë është thuajse e pamohueshme dhe ndihet në ajër edhe në realitetin shqiptar. Politika dominohet nga seksi i kundërt, disa nga bizneset apo mediat më të rëndësishme në vend drejtohen nga burrat, e gjithaq edhe në fushën e modës, është e dukshme po e njëjta prirje. Por, shembujt që vijnë nga perëndimi, janë më të shumta e kuptimplota! Wall Street ka plot njerëz me influencë në tregjet financiare me drejtues të kompanive me fitime globale marramendëse, që drejtohen nga burrat. Industria e modës, është gjithashtu një sipërmarrje multimilardëshe që prek jo vetëm tendencat, por edhe artin. Dhe ajo drejtohet në pjesën dërrmuese të saj po nga burrat! Por, a duhet industria e modës të ndryshojë pajtueshmërinë për të përmbushur standardet e shoqërisë moderne? Ne të gjithë kemi fizik të ndryshëm, forma, gjatësi dhe aspekte të vetes që na përndjekin kudo si hije…
Disa vjet më parë, Karl Lagerfeld, fytyra përfaqësuese e shtëpisë së modës “Chanel”, ka thënë se Adel, këngëtarja e njohur është pak a shumë një masë “yndyrore” mbi skenë. Ajo është grua e shëndetshme, e cila identifikohet me reputacionin e suksesit prej kohësh, ka fituar çmime të shumta në karrierën e saj muzikore, por mendimi i Lagerfeld nuk mat talentin dhe vokalin, por pamjen e saj të jashtme! Po ky stilist prezantoi në pasarelat e modës koleksione veshjesh stofi me cirka, të frymëzuara nga tendencat e fundit dhe të kombinuara dukshëm me doza feminizmi. Modelet me pankarta në duar, me fraza si “Zonja e parë” dhe “Historia ime është historia juaj”, që protestonin me megafon bën namin asokohe. Edhe pse ky ishte një hap i mirë në drejtim të feminizmit komercial, shtëpia e modës përfitoi jashtëzakonisht shumë nga publiciteti dhe lajmet në media të këtij show në pasarelë. Moda që në krye të herës preku dukshëm feminizmin, por pak më vonë ajo u kthye në histori për të gjithë.
Natyrisht, modelet nuk janë aktiviste, por është e thënë që ky të jetë brezi i të rinjve përtej vitrinave të dyqaneve. Problemi është se kjo luftë vjen vetëm me faza, si nevoja për feminizëm, që duket se ka një ndikim jo të vogël në industrinë e modës. Punonjëset e atelieve, apo ato në fabrikat anekënd botës ku prodhohen veshje apo çanta dhe aksesorë të markave të njohura, janë ende të keq paguara, dhe jetojnë në varfëri. 14-16 orë në ditë punë me pagesa minimale, ku edhe sindikatat nuk bëjnë punë! Një pakicë prej tyre janë edhe fizikisht të abuzuara, dhe janë të paafta për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollë që të marrin arsim.
Kjo anë e modës, është e fshehur nga publiku, por kur është fjala për vëmendjen tonë në koleksionet e reja të veshjeve, ato kanë një forcë shtytëse të jashtëzakonshme për t’i kushtuar interes në gjithë format e mundshme. Shumë gra shohin revistat e modës në faqet e mbushura plot me fotot e femrave të bukura dhe modeleve të alta modës, si burim fuqizimi dhe frymëzimi. Artikujt mbi gratë e suksesshme, dhe arritja e madhështisë në fushat e tyre janë një tjetër anë e medaljes. Feminizmi ka të bëjë me rritjen e mundësive të zgjedhjes në dispozicion të grave në të gjithë botën, duke hequr kufizimet e diktuara në mënyrë të veçantë nga seksi. Prandaj, feminizmi nuk është i përputhshëm në kuadrin e industrisë së modës, pasi të dy si sektorë janë duke luftuar dukshëm në kahe dhe objektiva të ndryshme.
Fitore Pacolli kapet keq me komentues për grantin 100 mijë e...
Po voziste nën ndikim të alkoolit, gjobitet shoferi në Gjila...
Gjendet pa shenja jete në banjën e një shtëpie një grua në F...
Kryeministri rumun pranon se Kosova luajti mirë, por thotë s...
Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut: Mbledhja e pë...
Ahmeti, Qeverisë së Kosovës: Mos heshtë për shqiptarët në RM...