Pas tentimit të 24.000 emigrantëve për ta kaluar kufirin greko-turk në lumin Marica gjatë fundjavës dhe pardje, autoritetet tona sigurojnë se nuk ka numër të rritur të emigrantëve në kufirin jugor dhe u bëjnë apel mediave të mos përhapin lajme të rrejshme për krizën e emigrantëve.
Organet shtetërore në bazë ditore po ndjekin se çfarë po ndodhë në kufirin jugor. Që para ca kohësh është aktivizuar edhe organi i ri për koordinimin e shërbimeve, ndërsa që para dy ditësh edhe kontingjenti i Armatës në linjën kufitare është rritur për 10 deri në 15 herë, njofton MIA.
Shefi i shtetit dhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura, Stevo Pendarovski gjatë vizitës së djeshme të pjesëtarëve të armatës në Gjevgjeli, të cilët janë të angazhuar për sigurimin e linjës kufitare ndaj Greqisë, deklaroi se deri më tani nuk ka rritje të numrit të emigrantëve në kufirin jugor, përveç numrit të zakonshëm për këtë periudhë të vitit.
“Ne jemi pjesë e një spektri të gjerë shtetesh të cilat duhet të jenë të përgatitura qoftë edhe si vend transitues. Përvoja nga viti 2015 dhe 2016 është e madhe dhe e vlefshme në këtë drejtim kështu që nuk pres edhe të ketë derdhje eventuale të refugjatëve gjatë periudhës së ardhshme se ne do të jemi të befasuar”, tha Pendarovski.
Kryeministri Oliver Spasovski, nga ana tjetër, informoi se tani për tani nuk ka emigrantë të cilët lëvizin në drejtim të Maqedonisë së Veriut. “Për çdo rast institucionet janë maksimalisht të gatshme për përballje me valën e re eventuale të refugjatëve”, deklaroi kryeministri Oliver Spasovski gjatë vizitës së djeshmenë VK Tabanoc.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska kumtoi se gjendja në kufirin jugor është stabile, duke theksuar se forcat e sigurisë janë të gatshme të reagojnë në mënyrë parandaluese dhe sipas të gjithë skenarëve të mundshëm.
“Për momentin presioni i kufirit tonë nuk është i shprehur si më parë, presioni kryesor është në kufirin greko-turk. Është fakt se shkakton tërheqje të caktuar të forcave greke të fokusohen në kufirin turk dhe kjo shkakton lëvizje të emigrantëve të cilët veçmë kanë qenë në Greqi drejt veriut në BE”, ka thënë Shekerinska.
Ajo bëri thirrje të mos përhapen lajme të rreme dhe dezinformata pa dallim se cila është arsyeja dhe çfarë agjende qëndron pas kësaj.
“Gjatë mëngjesit filloi të përhapet informatë e cila është e pasaktë lidhur me dhunën dhe probleme në kufirin në Manastir. Në atë mënyrë nuk mbrohet shteti, vetëm defokusohen përpjekjet e gjitha institucioneve shtetërore të ballafaqohemi me atë që me të vërtetë mund të jetë problem”, ka thënë Shekerinska.
Ajo ka thënë se me Fronteksin kanë komunikim dhe se dje në Komitetin menaxhues kanë kërkuar vazhdimin e angazhimit të policisë nga Fronteksi në kufirin tonë jugor.
Qeveria në seancën e djeshme e shqyrtoi raportin e Komitetit drejtues për koordinim dhe përballje në sistemin për menaxhim me kriza për situatën me krizën e emigrantëve dhe solli shumë konkludime të cilat nisen nga fakti se vendi tani më ka vendosur sistem për menaxhim me krizën e emigrantëve.
Qeveria ka konkluduar se sistemi është i gatshëm që të përgjigjet në sfidat si vend transit dhe se një pjesë e atij sistemi është komunikimi i vazhdueshëm me partnerët e vendit tonë në NATO dhe BE, si dhe me të gjitha vendet në rajon.
“Në atë drejtim është edhe konkludimi i Qeverisë që të kërkohet nga vendet me të cilat Maqedonia e Veriut drejtpërdrejtë bashkëpunon me pjesëtarët e tyre policorë në kufirin jugor, të rritet numri i nëpunësve policorë, të cilët me rritjen e numrit të pjesëtarëve nga MPB-ja dhe të Armatës do t’i ndajnë angazhimet operative në rast të rritjes së numrit të emigrantëve”, thekson pres-shërbimi qeveritar.
Ministria e Punëve të Brendshme porosit se qytetarët nuk kanë kurrfarë arsye për brengosje, se gjendja është e pandryshueshme dhe se ka numër standard të tentimeve për hyrje ilegale në shtetin tonë.
Mijëra emigrantë erdhën në kufirin greko-turk, pas informacioneve se presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan do ta hapë kufirin dhe do t’u lejojë të hyjnë në Evropë. Emigrantët tubohen në zonë neutrale në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë, me ç’rast me kërkesë të Athinës, FRONTEKS-i sistemoi forca shtesë në kufirin greko-turk dhe e ngriti shkallën e paralajmërimit për të gjithë kufijtë drejt Turqisë.
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën