Qeveria do të paditet nga Telekomi, Trepça dhe Infrakos ende pa vendim

08:04 | 3 Mars 2020
Arbresh.info

Në dy, nga vetëm katër mbledhjet e mbajtura deri tani, Qeveria e re e Kosovës ka shkarkuar kryetarët dhe anëtarët e bordeve të tri ndërmarrjeve publike në vend.

Por, asnjë nga anëtarët e shkarkuar ende nuk kanë pranuar këtë vendim me shkrim.

Përkundër kësaj, Bordet e Telekomit të Kosovës, Infrakosit dhe Trepçës kanë menduar për procedurat për të kundërshtuar shkarkimin që sipas tyre është politik dhe joprofesional. Madje bordi i Telekomit tashmë edhe ka nisur përgatitjen e një padie.

Ish-kryetarja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Bytyqi Shatri ka thënë për arbresh.info se janë në përfundim të padisë ndaj Qeverisë.

Bytyqi madje thotë se janë të bindur se padinë do të fitojnë.

“Ne jemi në përfundim të dorëzimit të padisë, realisht është caktuar padia, janë aranzhuar avokat dhe bindja është 100% që do të fitohet në gjykatë për shkak të shkeljes së procedurave që i kanë bërë gjatë shkarkimit. Padia do të bëhet ndaj Qeverisë dhe ministrisë që kanë propozuar dhe votuar vendimin”, ka thënë ajo.

Bytyqi që deri para dy javësh ka mbajtur pozitën e të parës së Bordit në Telekom ka thënë se nuk janë të informuar se mbi kë bien përgjegjësitë pas shkarkimit të tyre.

“Prej momentit kur është bërë publik lajmi ne nuk shkojmë më në mbledhje, është e pasqaruar pjesa e përgjegjësive sepse ka mbet pa bord, por është e ministrisë që të vendos. Nga momentin i shkarkimit asnjë anëtarë i bordit nuk është lajmëruar më për mbledhje, e as nuk kemi organizuar të tilla”, ka thënë ajo.

Ndërsa Feriz Fetahu, ish- anëtarë i Bordit mbikëqyrës i Ndërmarrjes Publike qendrore “Trepça” Sh.A. S ka thënë për arbresh.info ka thënë se ende nuk kanë vendosur për padi pavarësisht se kanë sugjerime nga njerëzit.

Edhe për Fetahun shkarkimi ka qenë jokorrekt.

“Ende nuk kemi diskutuar për këtë por kemi sugjerime prej njerëzve që ta bëjmë këtë, se ne jemi shkarkuar për një punë që nuk e kemi bërë. Objektet me qira janë lëshuar në vitin 2011-2014. Ne nuk kemi qenë në atë kohë, dhe e dyta, konkursin nuk e shpall bordi, por menaxhmenti”, ka thënë ai.

E, Enver Oruqi, ish kryesues i Bordit të Infrakos-it ka thënë për arbresh.info se e kanë në planë të bëjnë padi ose ankesë.

“Po e kemi në planë, varësisht nga sugjerimi të bëjmë ankesë ose padi”, ka thënë ai.

Ai madje ka sqaruar edhe dy arsyet e shkarkimit, që sipas tij nuk qëndrojnë.

“Vendimi për shkarkim ka qenë i padrejtë, përmendet performanca. Ne në prill jemi përzgjedh dhe sipas ligji performaca e vitit paraprak bëhet në qershor që do të thotë se ende nuk është bërë një vit prej kur ka filluar punën Bordi. Ndërsa sa i përket pjesës ku thuhet se nuk kanë marrë masa ndaj kryeshefit, ne e kemi bë një hetim të brendshëm dhe në bazë të raporteve nuk kemi gjetë diçka që nuk ka ndërmarrë masa. I kemi lënë procesit gjyqësor të marrë vendim prandaj edhe ne të vendosim”, ka thënë ai.

Ndryshe kujtojmë që më 19 shkurt, në mbledhjen e saj të tretë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” sh.a.

Vendimi është mbështetur në Ligjin për ndërmarrjet publike dhe ka pasur parasysh funksionimin dhe gjendjen aktuale në këtë ndërmarrje publike, e vlerësuar si mjaft e rëndë dhe me nevoja për të ndryshuar konceptin menaxhues.

E në mbledhjen e 28 shkurtit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shkarkimin e dy bordeve, atij të të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” Sh.A. dhe Bordit mbikëqyrës i Ndërmarrjes Publike qendrore “Trepça” Sh.A.

Për të parën u tha se vendimi mbështetet në dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe sipas rekomandimeve të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, i cili konstaton se Bordi i Drejtorëve në Infrakos ka shkelur detyrat fiduciare.

Ndërsa për të dytën u tha se shkarkimi është mbështetur në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe në Ligjin për Trepçën si dhe është arsyetuar me shkeljen e detyrave fiduciare nga Bordi në keqmenaxhimin e aseteve të Ndërmarrjes dhe në politikat e punësimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme