Google ADS

Franca dënon sulmin ndaj ushtarëve turq në Siri

20:17 | 2 Mars 2020
Arbresh.info

Kryediplomati francez shprehu solidaritetin me Greqinë për fluksin e fundit të migracionit.

Franca të hënën dënoi sulmet ndaj ushtarëve turq nga regjimi i Asadit dhe aleatët e tij.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Francës, kryediplomati francez Jean-Yves Le Drian foli përmes telefonit me homologun e tij grek Nikos Dendias dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Le Drian rikujtoi thirrjen e 14 ministrave të jashtëm nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive nga regjimi sirian dhe aleatët e tij në Idlib”, thuhet në deklaratë.

Ai gjithashtu “përsëriti me një zë më të fuqishëm dënimin e tij për këtë sulm nga regjimi sirian dhe mbështetësit e tij, veçanërisht rusë, dhe për sulmet ndaj forcave turke në zonë”, shtohet në deklaratë.

Javën e kaluar, gjatë një sulmi të regjimit të Asadit në Idlib të Sirisë, ranë dëshmorë 34 ushtarë turq, të cilët janë në rajon për të ndihmuar civilët lokalë.

Le Drian gjithashtu shprehu mbështetje për Greqinë për fluksin e fundit të migrantëve në vend, pasi Turqia hapi kufijtë e saj për migrantët në Evropë.

Ai mbështeti thirrjen e Greqisë për një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE për çështjen e migracionit.

Numri i migrantëve të parregullt që largohen nga Turqia për në Evropë ka arritur në 117,677 të hënën, tha Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu në Twitter.

Mijëra migrantë u mblodhën në vendkalimin kufitar Pazarkule të Edirnes për në Greqi pasi zyrtarët turq njoftuan të premten se nuk do të ndalonin migrantët e parregullt për të arritur në Evropë.

Ky hap i Turqisë erdhi pasi vazhdimisht i thoshte BE-së se nuk ka mundësi për të akomoduar edhe 1.7 milion sirianë të tjerë, të cilët kanë lëvizur afër kufirit turk pas sulmeve të vazhdueshme në zonën e de-esklaimit në Idlib nga regjimi sirian, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2018 me Rusinë që ndalon aktet e agresionit në rajon.

Turqia aktualisht strehon rreth 3.7 milionë migrantë vetëm nga Siria, më shumë se çdo vend tjetër në botë./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme