IKSHPK: Në Kosovë asnjë rast pozitiv me koronavirus

18:25 | 2 Mars 2020
Arbresh.info

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka njoftuar se nga data 08 shkurt deri më 02 mars 2020, janë testuar 36 mostra të dyshuara me koronavirus.

IKSHPK bën të ditur se asnjë nga këto mostra nuk kanë rezultuar pozitiv.

Në Klinikën Infektive sot janë testuar edhe tre raste të dyshimta me koronavirus.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, edhe nga këto raste asnjë nuk ka rezultuar pozitive.

Vetëm njëri nga rastet ka rezultuar me grip sezonal të influencës B.

Dje dhe sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, si dhe në gjitha pikat kufitare janë depistuar 1 mijë e 643 udhëtarë:

– “Adem Jashari”- 327 udhëtarë;
-Vërmicë – 523 udhëtarë;
-Merdare – 644 udhëtarë;
– Hani i Elezit – 28 udhëtarë;
– Dheu i Bardhë – 37 udhëtarë;
– Jarinje – 65 udhëtarë;
– Bërnjakë – 5 udhëtarë;
– Kullë – 7 udhëtarë ;
-Qafë Morinë – 7 udhëtarë.

Në njoftim bëhet të ditura edhe aktivitetet që IKSHPK këshillon që qytetarët ti ndërmarrin në lidhje me parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit:

Aktivitetet në lidhje me monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së
COVID-19

1. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar
masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19 që
konsistojnë në:

• Vazhdimin e zbatimit të parimeve themelore nacionale të reagimit në
sistemin e mbikëqyrjes së rasteve.

• Depistimin dhe detektimin e rasteve të dyshimta, si dhe përcjelljen e
dinamikës së sëmundjes;

• Konfirmimin laboratorik të rasteve të raportuara;

• Aktivizimin e ekipeve për hulumtim të epidemisë;

2. Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare po përcjellin me vëmendje
situatën epidemiologjike me Coronavirus në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin
ndërkombëtar “Adem Jashari”.

3. Aktivitetet e rekomanduara nga Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse
kanë vazhduar me masat për parandalimin e virusit në institucionet arsimore të
Kosovës që konsistojnë në:

• Shpërndarjen e materialeve të edukimit dhe promovimit shëndetësor,
posterëve dhe lifleteve.

• Organizimin e ligjëratave përkushtuar njohurive për Coronavirusin
COVID- 19, të organizuara nga arsimtarët dhe profesorët me përkrahje të
specialistëve të shëndetësisë publike të IKSHPK.

• Ndërmarrjen e hapave sipas rekomandimeve të IKSHPK që në të gjitha
institucionet shkollore të bëhet dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve
dhe nyjeve sanitare.

4. Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së
Shëndetësisë, IKSHPK, Qendrës së Situatave, Agjencionit për Menaxhimin e
Emergjencave, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.

5. IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur
rekomandimet:

• Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të
frymëmarrjes!

• Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!

• Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga
infeksionet respiratore!

• Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e
sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

• Lani duart porsa hyni në shtëpi!

• Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!

• Lani duart pas përdorimit të tualetit!

• Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas
kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Evitoni përdorimin e tualeteve publike!

• Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!

• Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me
mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e
përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!

• Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë
ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë
vendit!

• Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet
përhapja e sëmundjes!

• Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!

• Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!

• Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin
publik të përdorin maska!

• Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!

• Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë, Kore e jugut, Iran, zonat e Italisë, Gjermani, Francë apo zona të prekura nga COVID-19 brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet
menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!

• Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt
potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të
tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të
familjes.

• Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të
ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësor nëse shfaqin
ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç
janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.

• Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetë-izolimit për 14 ditë në shtëpi

• Është me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kino dhe

ambientet publike ku ka grumbullim të shumë personave

Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:

• Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.

• Të shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet, sa më shpesh të
lahen rrobat, mbajtja e higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja
e hundës, gojës dhe syve.

• Gjatë kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hudhen në vende të sigurta.

• Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo
personale.

• Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.

• Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë
dhe sapun.

• Monitoroni simptomet e juaja.

• Thirrni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.

• Menaxhoni në mënyrën e duhur mbeturinat.

• Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat
standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në
shërbimet e urgjencës!

• IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me
Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 02 mars 2020, janë raportuar gjithsej 89
068 raste me COVID-19 dhe gjithsej 3 046 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Mbretëri të
bashkuar, janë raportuar 2 199 raste me COVID-19 dhe 38 raste të vdekjes. Itali(35),
Francë (2) dhe San Marino (1).

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në
Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në
kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme