Këshilli i Komunës së Tetovës votoi vendimin, me të cilin qeverisja lokale do të ndajë fonde nga buxheti për rehabilitimin e rrugës lokale nga fshati Sushicë, Gostivar deri në deponinë Rusino.
“Komuna e Tetovës si pjesë e rajonit të planifikimit të Pollogut, në kuadër të projektit për administrim rajonal të mbeturinave përmes Deponisë Rusino, është e detyruar së bashku me komunat e tjera që ta bashkëfinancojnë projektin për rehabilitimin e rrugës. Tetova ndan dy milionë e 200 mijë denarë, ndërsa nga Byroja për Zhvillim Rajonal janë siguruar 16 milionë e 900 mijë denarë”, tha kryetari i Këshillit, Bekim Memeti.
Komunat nga rajoni i Pollogut vazhdojnë të mos gjejnë zgjidhje për problemin me mbeturinat. Përderisa në shumë vende të zhvilluara mbeturinat riciklohen dhe përdoren si energji elektrike, në Pollog mbeturinat hidhen nëpër deponi, ku edhe nuk ka qendra selektimi. Po ashtu edhe projekti për rregullimin e Deponisë Rusino ende nuk fillon të realizohet. Në Tetovë vendi i stacionit të ngarkim –shkarkimit është ndryshuar disa herë, fillimisht ishte vendosur afër stacionit hekurudhor, pastaj në hyrje të qytetit, rrugës për në Trebosh dhe së fundi rrugës për në fshatin Falisht.
Komunat e rajonit të Pollogut, në vitin 2013 vendosën që me mbeturinat të mos menaxhojë kompani nga jashtë dhe anuluan tenderin. Krerët e komunave në atë kohë vendosën që vet të rregullojnë këtë problem, edhe atë duke u munduar që të gjejnë zgjidhje afatgjate në Deponinë Rusino në Gostivar. Pas shtatë vitesh, ende nuk ka asnjë hap konkret. Gjithë këto vite, mbeturinat e Tetovës grumbullohen nëpër stacione për ngarkim – shkarkim dhe më pas dërgohet në deponinë Drislla në Shkup.
Që nga muaji maj i vitit 2015, banorët e fshatit Banjicë dhe fshatrave përreth kishin ndaluar hedhjen e mbeturinave në Rusino, për shkak të dëmeve që kishin pësuar pronat e tyre. Ata kishin kërkuar rregullimin e rrugës, izolimin e deponisë dhe ndalimin e ujërave nëntokësorë që dëmtojnë të mbjellat e tyre. Në ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë kanë bërë të ditur se pasi që mjetet janë ndarë dhe është ndërtuar rruga prej 2 kilometra e gjysmë, deri në maj të këtij viti pritet që edhe 2 kilometra tjerë të asfaltohen, dhe më pas mbeturinat të dërgohen në Rusino.
“Në muajin maj të vitit 2015, banorët e fshatrave që jetojnë afër Rusinos, për shkak të problemeve që kishin me mbeturinat, nuk lejonin që të dërgojmë atje të njëjtat. Më pas, në vitin 2016 na lejuan që vetëm gjatë natës të dërgojmë mbeturina. Më pas edhe kjo u pamundësua për shkak të mos përmbushjes së disa obligimeve në kohë, respektivisht ndërtimit të rrugës dhe izolimit të deponisë. Tashmë kemi informacione edhe nga ana e ekspertëve të Zvicrës që në muajin maj të këtij viti, pas rregullimit të rrugës, të fillohet me punë në këtë deponi dhe ne të fillojmë të dërgojmë mbeturina” tha Xhelal Ceka, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë.
Ai tha se humbet shumë kohë dhe ndërmarrja pëson dëme financiare pasi që mbeturinat fillimisht dërgohen nëpër stacione për ngarkim shkarkim dhe më pas në Deponinë Drislla në Shkup. Sipas tij, tashmë është në vijim e sipër procedura për regjistrimin e Ndërmarrjes Publike të komunave të Pollogut, e cila do të jetë një ndihmesë e madhe për ndërmarrjet tjera të komunave të Pollogut, pasi që ndërmarrja që themelohet do të menaxhojë Deponinë Rusino dhe atje do të hidhen mbeturinat e qytetit të Tetovës dhe të fshatrave përreth. Ndërtimi i rrugës dhe infrastrukturës tjetër përcjellëse për në Deponinë Rusino ka qenë një nga kërkesat kryesore të banorëve të cilët nuk lejojnë hedhjen e mbeturinave më shumë se 5 vite./koha.m
Abdixhiku sot prezanton programin e LDK-së për shëndetësi në...
Save the Children: TikTok-u hapësira ku bullizohen më së shu...
Ndikimi i Dua Lipës, falë saj u zgjodh “fjala e vitit”
Ndeshja Kosovë-Rumani, UEFA merr vendim
Përfaqësuesi i Ministrisë të Vakëfeve: Është investim i yni ...
Përleshje midis policisë serbe dhe opozitës në Novi Sad rret...