IKSHPK: Në Kosovë nuk ka koronavirus, mos udhëtoni drejt vendeve ku është përhapur

07:37 | 29 Shkurt 2020
A. B.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, edhe një herë ka theksuar se në vendin tonë nuk ka asnjë rast me koronavirus, të njohur tash me emrin COVID-19.

IKSHPK-ja thotë se nga data 08 shkurt deri më 28 shkurt, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 30 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme me 28 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për shtatë raste të dyshimta në COVID-19”, thuhet në raport.

Pacientët, sipas institutit, u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2.

“Me datë 28.02.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar shtatë pacientë në virusin SARS CoV-2 dhe kanë rezultuar negative me virusin SARS-CoV-2”, thuhet në njoftim.

Nga data 01.02.2020 deri me 28.02.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 687 udhëtarë.

“Nga Aeroporti “Adem Jashari” 172 udhëtarë, Vërmicë 302, Merdare 170, Hani i Elezit 22, Dheu i bardhë 14 dhe Kullë 7 udhëtarë”, thuhet tutje në njoftim.

Instituti, thotë se në vazhdimësi po bëhet monitorimi e parandalimi i rrezikut të përhapjes së

COVID-19.

“Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, thuhet tutje.

IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:

• Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!

• Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!

• Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!

• Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

• Lani duart porsa hyni në shtëpi!

• Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!

• Lani duart pas përdorimit të tualetit!

• Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

• Evitoni përdorimin e tualeteve publike!

• Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!

• Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat

e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!

• Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!

• Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!

• Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!

• Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!

• Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!

• Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!

• Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë, zonat Lombardi,

Veneta të Italisë apo zona të prekura nga COVID-19 brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!

• Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!

IKSHPK, tutje rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt Kinës ose zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 28 shkurt 2020, janë raportuar gjithsej 83 396 raste me COVID-19 dhe gjithsej 2 858 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Mbretëri të bashkuar, janë raportuar 815 raste me COVID-19 dhe 19 raste të vdekjes.

“Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë”, përfundon raporti.

Të ngjashme