Presidenti i Malit të Zi ka akuzuar Serbinë dhe Rusinë se po e shfrytëzojnë Kishën Ortodokse Serbe për të minuar qeverinë pro-Perëndimore të vendit të tij, e cila punon për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Nëse po pyesni nëse kjo është një vazhdimësi e shkatërrimit (të mbetur në tentativë) të Malit të Zi dhe pengimit të qëllimeve të tij për të vazhduar rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, nuk ka dyshim për këtë”, ka thënë Gjukanoviq, në një intervistë dhënë agjencisë së lajmeve Reuters.
Gjukanoviq ka thënë se një sërë tubimesh kundër Ligji për liritë fetare, të cilat kanë qenë të udhëhequra nga klerikë ortodoksë serbë në Mal të Zi kishin qëllim “të vinin në pikëpyetje pavarësinë e Malit të Zi”.
Ai ka thënë se mitropoliti Ilarion, klerik i Kishës ortodokse ruse, ka dalë në mbështetje të interesave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, ndërsa kreu i Kishës Ortodokse ukrainase, mitropoliti Onufriy, besnik i patriarkatit të Moskës, u është bashkuar protestave këtë javë në Podgoricë.
Sipas Gjukanoviqit, në Beograd është ringjallur koncepti nacionalist për Serbinë e Madhe, i cili shkaktoi luftëra të përgjakshme në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
“Të gjithë mekanizmat për implementimin e projektit shtetëror për Serbinë e Madhe janë vënë në lëvizje dhe Mali i Zi është po ashtu cak”, ka thënë ai.
Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi e kundërshton ligjin për liritë fetare që u miratua në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Ky ligj krijon mundësi që shteti të marrë në pronësi pronat kishtare, nëse kisha nuk mund të provojë se ka qenë pronare e tyre para vitit 1918, kur Mbretëria e Malit të Zi i ishte bashkuar Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila ishte paraardhëse e Jugosllavisë federale./illyria/
Kurti: Historikisht, rinia ka qenë nismëtare e vendimeve dhe...
Kumbaro ndan postimin e gazetës gjermane për Shqipërinë: Ven...
Policia e Kosovës konfiskon armë dhe uniforma ushtarake të S...
Përfundon seanca e sotme në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëv...
Presidentja ia kthen Kuvendit në rishqyrtim edhe një ligj, a...
Loredana rrëfën ndarjen me Mozzik: Peshoja vetëm 43 kg