Google ADS

35 të vdekur, 130 të plagosur në protestat kundër Ligjit për shtetësinë në Indi

15:47 | 27 Shkurt 2020
Arbresh Info

Në ngjarjet e dhunës kanë humbur jetën 35 persona në mesin e të cilëve shefi i policisë dhe një zyrtar i inteligjencës, ndërsa u arrestuan mbi 130 të tjerë

Të paktën 35 civilë humbën jetën që nga 23 shkurti si pasojë e protestave që vazhdojnë në mbarë Indinë kundër Ligjit për shtetësinë, i cili u ndryshua për t’i hapur rrugë marrjes së shtetësisë gjashtë pakicave fetare që vijnë nga vendet fqinje duke i përjashtuar muslimanët.

Sipas lajmeve në mediat indiane, protestat vazhduan pasi dje, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ajit Doval, vizitoi zonat në të cilat që nga e diela e kaluar vazhdonin aktet e dhunës në verilindje të New Delhi-t dhe deklaroi se “gjithçka është në rregull”.

Në ngjarjet e dhunës kanë humbur jetën 35 persona në mesin e të cilëve shefi i policisë dhe një zyrtar i inteligjencës, ndërsa u arrestuan mbi 130 të tjerë.

Në një pamje që po shpërndahet në rrjetet sociale, një musliman i shtrirë në tokë goditet me shkop nga dhjetëra persona duke brohoritur sloganin “Jai Shri Ram (Qoftë i përshëndetur Zoti Ram)”.

Ndërkohë, në rajonin Mustafabad të qytetit, familjet muslimanë janë zhvendosur nga rajoni.

– Gruaja 85-vjeçare humbi jetë duke u djegur

Përderisa ngjarjet e dhunës vazhdonin, më 25 shkurt të martën, një grua 85-vjeçare humbi jetë pasi bandat radikale nacionaliste indiane i vunë zjarr shtëpisë ku ajo ishte.

Djali i gruas Muhammed Said Salmani, tha se nëna e tij humbi jetën në zjarr, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes kanë mbetur gjallë pasi kanë hipur në çatinë e shtëpisë.

Në protestat që po zhvillohen që nga dhjetori i vitit 2019 kanë humbur jetën 58 persona.

“Në Indi 200 milionë muslimanë tashmë janë nën shënjestër”

Kryetarja e Kongresit Kombëtar të Indisë (INC) në opozitë, Sonia Gandi, si dhe ish-kryetari i INC-së, Manmohan Singh, u dhanë një memorandum presidentit Ram Nath Kovind, ku marrin pjesë kërkesat e tyre në lidhje me ngjarjet e dhunës.

Gandi, administratën Partisë Popullore të Indisë (BJP) dhe qeverinë e Delhit, i cilësoi si “publikë e heshtur” për shkak të qasjeve të tyre gjatë ngjarjeve.

Ndërkohë Komisioni amerikan i Lirive Fetare Ndërkombëtare (USCIRF), për shkak të ngjarjeve të dhunës që vazhdojnë në New Delhi, deklaruan se janë “seriozisht të shqetësuar”.

Kurse, kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, nga Twitter-i, theksoi se RSS-i (Organizata e Vullnetarëve Kombëtar) në Indi, i frymëzuar nga nazistët, ka marrë nën kontroll vendin.

Ai tha se në Indi 200 milionë muslimanë tashmë janë nën shënjestër.

– Muslimanët nuk përfshihen në ligj

Protestat në vend organizohen që nga 9 dhjetori për të kundërshtuar ligjin i cili mundëson dhënien e shtetësisë për migrantët jomuslimanë që kanë hyrë në vend para 31 dhjetorit të vitit 2014, ndërsa muslimanët nuk përfshihen në këtë ligj.

Ligji i miratuar parasheh që budistët, sikhët, jainët, parsit, hindut dhe të krishterët të cilët kanë ikur nga presionet fetare veçanërisht nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani, të mund të marrin shtetësinë në rast se tregojnë letërnjoftimet e tyre dhe dëshmojnë se jetojnë në Indi më gjatë se 6 vite ndërsa muslimanët janë përjashtuar nga ky ligj.

India është vendi i dytë me popullsinë më të madhe muslimane në botë. Mendohet se ligji do të shndërrojë 200 milionë muslimanë, qytetarë të klasës së dytë dhe një hap për t’i lënë ato pa shtet. Gjithashtu ligji kritikohet se me anë të tij do të deportohen muslimanët ose do të burgosen./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme