ASK: Më pak lexues në biblioteka në 2014

12:47 | 16 Tetor 2015
Arbresh.info

​Teatri Kombëtar në Prishtinë në vitin 2014 ka shfaqur 6 premiera dhe 160 repriza, ndërsa numri i shikuesve ishte 7 600, ose 1.3% më shumë se sa në vitin 2013.

Kështu thuhet në publikimin e të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), “Statistikat e Kulturës 2014”, ku ofrohen të dhëna statistikore, lidhur me aktivitetet eteatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filarmonisë etj.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë në vitin 2014 ka qenë 6 premiera dhe 160 repriza, ndërsa numri i shikuesve ishte 7 600. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka pasur rritje për 1.3%. Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ka qenë 6 premiera dhe 235 repriza, ndërsa numri i shikuesve ka qenë 22 141. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 22.9%. Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin “Oda” ka qenë 5 premiera dhe 27 repriza, ndërsa numri i shikuesve k a qenë 10 415. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 4.4%. Ndërkaq, në Galeritë e Arteve të Kosovës, numri i ekspozitave të realizuara ka qenë 34, ndërsa numri i vizitorëve 12 740. Krahasuar me vitin 2013, numri i vizitorëve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 10.8%”, thuhet në një komunikatë të ASK-së.

Numri i filmave të shfaqur në kinema ishte 125, prej tyre 17 filma vendorë dhe 108 të huaj, me gjithsej numër të shikuesve 68 621. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka pasur rritje për 35.3%.

Kurse, fondi i librave në biblioteka ishte 1 608 512 ekzemplarë, me numër të lexuesve 161 713. Krahasuar me vitin 2013 numri i lexuesve në biblioteka, në vitin 2014, ka shënuar rënie për 4.8%.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme