Mbasditen e 28 nëntorit 1944, kur parada entuziaste mbaroi, Qeveria e re e niste punën me një gjest jo të zakonshëm për regjimin komunist: organizoi një ballo në hotel “Dajti”, në mjediset e të cilit qenë vendosur anëtarët e Qeverisë.
Enver Hoxha qëndronte në suitën nr. 5, në katin e dytë: suita më e madhe e Hotelit, me një dhomë ndenjje, dhomën e gjumit dhe një tarracë që binte mbi bulevard. Në tarracë qëndronte natë e ditë një rojë, partizan i Batalionit Special.
Në ballo kreu i Qeverisë u paraqit për herë të parë publikisht me të fejuarën e tij. Vajzë e re nga një familje dibrane e ardhur në Tiranë nga Manastiri – sot qytet në Maqedoni – në vitin 1928, quhej Nexhmije Xhuglini dhe ishte shkolluar në institutin mbretëror “Nëna Mbretëreshë”, institucioni mësimor femëror më prestigjioz në vend. Enver Hoxha dhe Nexhmije Xhuglini qenë njohur më 23 nëntor 1941, vetëm dy javë pas themelimit të PKSh, në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste. Në kujtimet e saj Nexhmije Hoxha shkruan se e ka parë Hoxhën nga larg që në demonstratën e 28 tetorit 1941 në qendër të Tiranës:
“Aty pashë një burrë trupmadh, që dallonte një kokë mbi të rinjtë që e rrethonin, të shkëpuste me forcë një të ri nga duart e një milici. Cili qe vallë? Pranë meje u ndodh Meli Dishnica, e motra e Esat Dishnicës, e cila nuk linte demonstratë pa marrë pjesë. E pyeta: Kush është ai? Më tha se ishte një profesor nga Korça, që e kanë pushuar nga puna dhe tani ka ardhur në Tiranë, shet cigare në një lokal këtu afër. Si e quajnë? e pyeta. E quajnë Enver Hoxha, më tha”.
Enver Hoxha duket se nuk e ka fshehur simpatinë për militanten e re komuniste që nga takimi i tyre i parë dhe në ato të mëpasme nëpër bazat ilegale të Tiranës: simpati që vajzës së re i kishte rënë në sy mjaft mirë. 57 vjet më pas Nexhmije Hoxha përshkroi në kujtimet e veta atë ditë të vitit 1942 kur, në një bazë ilegale pranë Gjimnazit të Tiranës (gjimnazi i sotëm “Qemal Stafa”), Enver Hoxha i propozoi martesën. Baza ku strehoheshin vetëm të dy ishte marrë me qera për Hoxhën nga miku i tij i afërt Syrja Selfo. Ky i fundit u bë mbështetësi më i madh financiar i Hoxhës dhe i familjes së tij gjatë Luftës, me sa dëshmon vetë Hoxha në kujtimet:
“Syrjain e kisha shok të mirë, me të cilin bisedoja shpesh dhe më kishte kuptuar. Ai komunist nuk ishte, por ishte patriot, antiitalian, antifashist. Mua veçanërisht më donte sinqerisht dhe unë po ashtu. Syrjai e ndihmoi Luftën sa mundi. Dy shtëpi që zuri me qira na i vuri në dispozicion të punës sonë ilegale. Jepte ndihma në të holla për Luftën tonë dhe mua personalisht gjatë Luftës më ka ndihmuar shumë, po ashtu familjen time kur dola në ilegalitet”.
Pikërisht ky mik i tiji, Syrja Selfo, në vitin 1946 do të arrestohej për “komplot kundër pushtetit popullor” dhe do të dënohej me pushkatim. Në kujtimet e tij, në librin “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, Enver Hoxha sqaron se pushkatimi i Selfos qenkësh një intrigë e kurdisur nga Koçi Xoxe dhe se ai e paskësh dhënë urdhrin për ekzekutim pasi ky i fundit i paskësh dëftuar deponimin e Selfos me firmën e tij. Për fatin tragjik, Selfo kishte qenë krejtësisht i pafajshëm. 40 vjet pas pushkatimit të tij Hoxha shprehu keqardhje: mbetet ndoshta keqardhja e vetme e tij në gjallje.
Nexhmije Hoxha, në kohën tonë, e dëshmon kështu momentin kur Hoxha i propozoi martesën:
“Ndërkohë që unë isha me shpinë nga ai duke përgatitur kafenë, Enveri ia pati që andej ku po rrinte: “E di Nexhmije, meqë s’po kupton gjë ose po bën sikur s’kupton, po ta them copë: DUA TË MARTOHEM ME TY!” Unë ngriva, një propozim i tillë, i thënë kaq bram, më ra si bombë në kokë”.
Pak ditë më pas vajza e re, e vendosur për zgjedhjen e saj, e organizoi ditën që të shkonte në bazën ku ndodhej Enver Hoxha. Vajtja atje ishte për t’i kthyer përgjigje propozimit të tij, siç dëshmon në kujtimet, në po atë mënyrë.
“I thashë: “U thye fronti i rezistencës sime, u dorëzova!” Kjo i erdhi aq e papritur sa për një moment mbeti si i hutuar dhe sikur më pyeste me sy: “E dëgjova mirë”? “Po, po, – i thashë duke qeshur, – unë u dorëzova!”
Ishte viti 1942: Hoxha dhe Xhuglini do të jetonin edhe dy vite në ilegalitet, shpesh me ndarje disamujore. Deri në vdekjen e Hoxhës në prill të 1985-ës ata jetuan së bashku plot 43 vjet. Roli i zonjës Hoxha është padyshim ndër më të diskutuarit dhe misteriozët në jetën e liderit komunist. Vetë ajo, në një intervistë të vitit 1995 kur gjendej në burgun e Tiranës, ka dëshmuar se në histori i është veshur një rol që nuk e ka luajtur kurrë.
“Unë nuk kam luajtur asnjë rol në vendimmarrjen e Enverit, me përjashtim të kohës që ai ishte sëmurë dhe unë ua komunikoja porositë e tij shokëve”.
Shkëputur nga libri ”Enver Hoxha”, i gazetarit Blendi Fevziu
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...